E premte, 6 Dhjetor, 2024

Lëkundet karrigia e Vladimir Putin, nis plani për një grusht-shteti në Moskë, qëndrimi i presidentit rus në pushtet varet nga këto dy kushte, kush është klani i rrezikshëm që mund të “djegë” Kremlinin

Share

Gazetari rus dhe ish drejtuesi i emisionit të pavarur investigativ “Top Secret” Andrei Kalitin, në një artikull të botuar në faqen e pavarur ruse The Moscow Times, trajtoi rolin e shërbimit të inteligjencës ruse FSB në sistemin politik dhe të sigurisë ruse dhe luftën në Ukrainë, dhe mënyra se si trajtohet dhe përdoret nga lideri rus Vladimir Putin.Në fillim të komentit të tij, Kalitin thekson se 25 vjet më parë, Anatoly Sobchak, një njeri që shumë e konsiderojnë si ish-mentor politik i Vladimir Putinit, fshihej në Paris nga policia ruse. Sobchak, si ish-kryetar i bashkisë së Shën Petersburgut, dyshohej për korrupsion dhe Putin, një ish-nënkolonel i shërbimit sekret famëkeq të KGB-së, i cili sapo ishte emëruar drejtor i Shërbimit Federal të Sigurisë së Rusisë (FSB), pasardhësi i KGB-së, e ndihmoi atë të largohej nga Rusia me një avion privat finlandez. Kur Kalitin e intervistoi në emisionin e tij “Top Secret”, Sobchak, siç u tha, u duk paksa i hutuar, i paaftë për të imagjinuar të ardhmen. “Unë e kuptoj pse presidenti i atëhershëm rus, BorisYeltsin zgjodhi Putinin si pasardhësin e tij, ai kurrë nuk do ta tradhtonte. Por e kuptoj gjithashtu se sapo Putin të fitojë pushtetin, ai nuk do t’ia dorëzojë askujt”, tha Sobchak. Kuptimi i këtyre fjalëve, shkruan Kalitin, në atë kohë e kuptuan shumë pak njerëz dhe Sobchak nuk shpresonte që dikush t’i dëgjonte. Një çerek shekulli më vonë, mbështetësit dhe kritikët e Putinit e kuptojnë saktësisht se çfarë do të thoshte Sobchak. Putin ka vetëm një pasardhës, veten e tij.

Ndryshimi drastik

Pas shpërthimit të luftës me Ukrainën, kur ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov u pyet nëse Putini ishte konsultuar me të, ai u përgjigj: “Putini ka tre këshilltarë – Ivanin e tmerrshëm , Pjetrin e Madh dhe Katerina e Madhe”. Ndërsa pozicionohej në nivelin e perandorëve, Putin e dinte se pushteti ndryshonte vetëm pas vdekjes së monarkut. Megjithatë, që kjo traditë politike të vazhdojë, duhet të plotësohen dy kushte, perandori duhet të mbrohet plotësisht nga vrasja dhe kurrë nuk duhet të abdikojë vetë. Deri në maj të këtij viti, i vetmi institucion shtetëror që nuk ishte nën ndikimin e FSB-së ishte ushtria. Putin e konsideroi ushtrinë shtyllën më të rëndësishme të pushtetit, por ai kurrë nuk i besoi asaj 100 për qind. Deri në shkurt 2022, kur Putini filloi pushtimin, kishte një armëpushim tentativë midis klaneve me ndikim.

“Shembja e piramidës”

Por dy vjet më parë, FSB-ja, raportet e së cilës, si dhe ato të ushtrisë, e bindën Putinin se fitorja në Ukrainë do të ishte e lehtë, hapi frontin e vet personal – një front të brendshëm. Detyra e FSB ishte të merrte kontrollin e të gjitha sferave të jetës në Rusi, të shkatërronte opozitën dhe drejtuesit e saj, të fuste censurën, të nënshtronte sektorin industrial, institucionet financiare, kulturën dhe, natyrisht, ushtrinë. Sot, është e pashmangshme që do të lindë tundimi që të njëjtat elita të bëhen pjesë përbërëse e shtetit, dhe në planin afatgjatë ta udhëheqin atë. Por kjo ‘betejë e titanëve’ në Moskë mund t’i japë një goditje shumë më të fortë Kremlinit sesa dronët dhe raketat që vijnë nga Ukraina. Sistemi rus i pushtetit politik tani është i organizuar në atë mënyrë që çdo paragjykim ndaj njërit prej klaneve mund të çojë në shembjen e piramidës ose një grusht shteti nga “siloviki”.

Rreziku për grusht-shteti

Mandati i ri i Putinit sapo ka filluar dhe ai do të bëhet nën kontrollin e plotë të FSB-së. Të dhënat tregojnë se në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik, vetëm tre përqind e zyrtarëve në postet më të larta qeveritare ishin anëtarë të shërbimeve speciale. Gjatë sundimit të Jelcinit, kjo shifër kalonte 30 për qind dhe sot është rritur në 70 deri në 80 për qind. Regjimi i Putinit, pohon autori, është kthyer në një diktaturë të shërbimeve të sigurisë që do të përpiqet të sigurojë qëndrueshmërinë e këtij modeli qeverisjeje. Sidoqoftë, kjo do të jetë vetëm derisa klani në rritje i “silovikave” të rinj të mos e shohë presidentin 72-vjeçar si një hallkë të dobët në zinxhirin e pushtetit, përfundon Andrej Kalitin në komentin e tij për “Moscow Times”.

Te tjera

Lajme te tjera