E mërkurë, 9 Korrik, 2025

Kurti konfirmon paktin me SHBA, Kosova do të strehojë emigrantët e dëbuar nga Trump; po Rama ç’do të bëjë?

Share

Kryeministri Albin Kurti, ka pranuar zyrtarisht se Kosova ka arritur një marrëveshje paraprake me SHBA për të pritur emigrantët e dëbuar prej saj.

Pas lajmeve në media, Kurti ka reaguar në rrjetet sociale, duke deklaruar se ka pasur një kërkesë nga ana e SHBA për të mbajtur emigrantët e dëbuar dhe ajo është pranuar nga qeveria e tij. Ai shprehet se ata do të përzgjidhen sipas një procedure të caktuar, teksa gjatë qëndrimit në Kosovë do t’u nënshtrohen ligjeve vendase.

Si përgjigje ndaj kërkesës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës për pranimin dhe zhvendosjen e përkohshme të shtetasve të vendeve të treta, gatishmërinë e shprehur për bashkëpunim me partnerin dhe aleatin tonë, sot e përkthyem në Vendim të Qeverisë, në mbledhjen tonë të 262-të.

Sipas këtij vendimi, shteti ynë brenda një periudhe njëvjeçare do të pranojë dhe strehojë deri në 50 individë me qëllim të lehtësimit të kthimit të tyre të sigurt në vendin e prejardhjes. Përzgjedhja e këtyre personave do të bëhet nga një listë e propozuar, për aq sa ata i plotësojnë kriteret e caktuara lidhur me sundimin e ligjit dhe rendin publik. Gjatë qëndrimit të tyre në Kosovë, këta persona do të veprojnë në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe do të gëzojnë të drejtat e përcaktuara po sipas legjislacionit tonë në fuqi”, tha ai.

Kurti duket se po shfrytëzon këtë rast për të qetësuar raportet me amerikanët. Pas tensioneve dhe përplasjeve të viteve të fundit. “Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten aleat i yni palëkundur dhe Republika e Kosovës do të jetë gjithmonë partner i besueshëm i tyre. U jemi përherë mirënjohës për ndihmën dhe bashkëpunimin e vazhdueshëm, dhe e vlerësojmë lartë mbështetjen në mbrojtje e zhvillim, e sidomos në rrugëtimin tonë drejt integrimit Euro-Atlantik”, shkruan Kurti.

Ishin mediat amerikane ato të cilat raportuan se SHBA u ka bërë kërkesë vendeve të rajonit për të strehuar refugjatët e dëbuar nga Trump. Në një shkrim të “Blomberg”, përmendej Serbia, por duket se ka pasur kërkesa dhe për vendet e tjera.

Pyetja që shtrohet është: A është mes këtyre vendeve Shqipëria? Sinjalet janë se edhe në Tiranë ka ardhur një kërkesë e ngjashme dhe tani do të shohim nëse do të pranojë apo jo Edi Rama. Deri më tani ka terr informativ dhe nuk jepet asnjë detaj. 

Te tjera

Lajme te tjera