Rigels Selima
Analisti i njohur, Kreshnik Spahiu ka komentuar zhvillimet e fundit politike në vend. Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Spahiu foli për arsyet e fshehta të kaosit që po shkaktojnë deputetët e Rithemelimit, të cilët e vijuan dhe ditën e djeshme, duke u ngritur në këmbë e bllokuar foltoren e Parlamentit me pankarta në duar, ndërsa ndezën dhe zhurmues. Sipas Spahiut, objektivi i tyre i vërtetë është që të marrin vëmendje nga kamerat dhe të lënë në hije të gjitha forcat e tjera opozitare. Por për analistin, kjo skemë mund të ketë efekt afatshkurtër, pasi kur të vijnë zgjedhjet ata do të përballen me surpriza të hidhura nga votat e qytetarëve. “Grupi i Berishës ka zgjedhur një rrugë radikale. Rruga radikale që ka zgjedhur Rithemelimi më herët u ka funksionuar. Ky grupim zhvillon një mënyrë radikale të të protestuarit dhe ja ka arritur qëllimin të mbulojë 24 orë në media aktivitetin e tyre. Kanë arritur edhe një objektiv të rëndësishëm, ata janë të ndërgjegjshëm se kanë hequr dorë nga lufta për pushtet dhe nuk e rrëzojnë dot Ramën të përçarë. Por, objektivi afatshkurtër ka qenë i suksesshëm se kanë mundur të lënë në hije të gjitha forcat e tjera opozitare, dhe ky është një qëllim që e kanë pasur edhe më parë partitë opozitare në Shqipëri. Ata kanë shumuar partitë e tjera, qoftë e vjetra opozitare qoftë edhe ato të reja. Ata po përpiqen që të zhvillojnë sërish këto skena. Rruga radikale të faktorizon për momentin por të bie numri i mbështetësve. Po ta vëmë re as familjarët e deputetëve të tyre nuk shkojnë në protesta, sepse nuk e mbështet njeri rrugën radikale. Edhe në sondazhet që janë bërë kur u pyetën për liderët e rinj politik ishte përqindja e lartë e njerëzve nuk i njohin, kjo ndodhi me Belind Këlliçin që gjysma e Tiranës nuk e njihte, kemi edhe Adriatik Lapajn, Arlind Qorri që kishte një përqindje të lartë të popullatës që si njihte. Publiku tani është indiferentë ndaj politikës, janë larguar gjithmonë edhe më shumë. As në kutitë e votimit nuk po shkojnë më për të votuar, prandaj them se rruga radikale është e suksesshme por kur të vij momenti për të mbledhur vota do të jetë e vështirë”, deklaroi Spahiu për kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman.
Ridalja në skenë fuqishëm e Bashës
Më tej analisti Spahiu foli dhe për daljen në media pas shumë kohësh të kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Ai u shpreh se Basha ka veshur një antiplumb politik që të shmang makinerinë e tij, pasi PD e re nuk mund të bëhet me berishian. Ai ka thënë se Basha nuk po fle gjumë, por po tenton të shmangë në mënyrë të qëllimshme përplasjen me Berishën. “Çdo lider ka cilësitë e veta. Unë jam kundër asaj që thonë që Basha fle gjumë, Fatos Nano është bërë 3 herë kryeministër jo vetëm, duke fjetur gjumë, por edhe duke pirë xhin. Basha tenton të shmangë në mënyrë të qëllimshme përplasjen me Berishën. Ai pret që përplasjen ta realizojë kur Berisha të jetë në kuotën më të dobët. Basha ka qenë ministër, kryetar bashkie, kryetar partie, ka pas shumë mundësi dhe i ka ende ato. Ka moshën më të re se Berisha, mbështetjen ndërkombëtare, buxhetin e PD, infrastrukturën, zyrat, elektoratin sepse nuk është parti e re. A do dijë ai ta shfrytëzoj këtë avantazh në lidhje me Berishën? Dalja në konferencë shtypi është diçka e zakontë për një drejtues partie. Është e qëllimshme nuk është çështje gjumi, ai tenton që të shmang përplasjen me Berishën. Ai pret që përplasjen ta realizoj kur Berisha të jetë në gjendjen më të dobët. Zgjedhjet lokale treguan se Berisha ishte më i fortë, edhe pasi pati kurajën të hynte në garë. Basha mendon se nuk është momenti i përshtatëm të përplaset me Berishën se kjo do t’i asgjësonte të dy. Ai ka veshur një antiplumb politik që të shmang makinerinë e tij. Partia Demokratike e re nuk mund të bëhet me berishian”, u shpreh ndër të tjera Spahiu për kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman.
Çështja e emigrantëve
Ndërkohë teksa u pyet nga kryeredaktori i gazetës “SOT”, Rigels Seliman për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila ka rrëzuar kërkesën e Bardhit për të bërë një seancë të hapur për marrëveshjen me Italinë për emigrantët e huaj, Spahiu u shpreh se: Brenda 7 ditësh Gjykata ka rrëzuar edhe qeverinë edhe opozitën. Nga ana tjetër për ata që nuk e dinë ka një hakmarrje të parlamentit ndaj Gjykatës Kushtetuese. Gjatë 2023 nuk kanë kaluar pagat e Gjykatës Kushtetuese duke i bllokuar shqyrtimin e pagave të reja gjyqtarëve dhe kjo është një hakmarrje politike jo institucionale. Argumenti juridik i gjykatës është se në bazë të ligjit për organizmin e gjykatës, gjykata merr në konsideratë kërkesën e parlamentit për mosmarrëveshjet e kompetencave me pushtetet e tjera. Për marrëveshjen me Italinë kemi një precedent të çelur. Marrëveshja nuk është shfuqizuar është një vendim i përkohshëm, është pezulluar deri në marrjen e një vendimi.”