Presidenti Bajram Begaj u është drejtuar ditën e djeshme me një mesazh të fortë deputetëve dhe partive politike, të cilët kanë refuzuar bashkëpunimin dhe po provokojnë vetëm kaos. Pasi opozita nuk lejoi fjalën e tij në Kuvend, ai mbajti dje një fjalë në Presidencë dhe kërkoi nga deputetët që të krijojnë një situatë ku dominon dialogu. Sipas tij, Kuvendi duhet të jetë tempull i paqes dhe i diskutimeve konstruktive. Presidenti theksoi se Kuvendi duhet të jetë hapësira e debatit në shërbim të votuesve dhe nuk duhet të jetë arenë lufte. Begaj u shpreh se Kuvendi ka nevojë për opozitën dhe argumentet e saj. Por sipas tij, duhet debat përmes argumenteve. Madje ai kërkoi që të ketë debat konstruktiv dhe të marrë fund përçarja. “Çelja e sesionit të ri të Kuvendit, ishte një mundësi e mirë që deputetët e Kuvendit të shënonin fillimin e një kthese në jetën politike të vendit tonë. Me dashurinë për Shqipërinë, me respektin për qytetarët që ju kanë zgjedhur, me përgjegjësinë madhore që mbart detyra e përfaqësimit, ju deputetët mund dhe duhet të gjeni gjuhën e përbashkët dhe të krijoni një atmosferë ku të mbizotërojë dialogu, interesi publik dhe interesi kombëtar. Kuvendi duhet të jetë tempulli i shpalosjes së vlerave më të mira të shoqërisë sonë ku pozita dhe opozita bashkëpunojnë për të mirën e vendit”, deklaroi ai. Ndërkohë presidenti Begaj theksoi se sipas tij, Kuvendi është vendi ku zhvillohet dialogu parlamentar, ku ka zhvillim të ideve dhe diskutime konstruktive mes pozitës dhe opozitës. Madje Begaj u shpreh se Kuvendi është hapësira e debateve ku profesionistë të ndryshëm, media, studentë, shoqëria civile e të tjerë të kenë mundësi të përfshihen e të dëgjohen. “Kuvendi ka nevojë për opozitën, ka nevojë për zërin e saj, argumentet e saj si dhe përballjen në debate me ide dhe argumente. Në Kuvend duket të kultivohet demokracia, frymëzimi për të tashmen dhe shpresa për të ardhmen! Klasa politike ka për detyrë të jetë në vijën e parë të mbrojtjes së parimeve, interesat partiake nuk mund të bëhen pengesë për konsolidimin e shtetit të së drejtës!”, nënvizoi presidenti Bajram Begaj.
Kaosi dhe mungesa e bashkëpunimit shqetëson Begajn, presidenti apel politikës: Uluni e dialogoni, Kuvendi nuk është arenë lufte
Share
Te tjera
