Dita e djeshme u shënuan plot 13 vite nga protesta e 21 janarit të vitit 20211, ku 3 protestues u vranë me armë zjarri dhe një i katërt u plagos rëndë dhe ndërroi jetë pak ditë më vonë. Ziver Veizi, Faik Myrtaj dhe Hekuran Deda humbën jetën atë ditë, shtatë të tjerë u plagosën, mes të cilëve Aleks Nika, i plagosur rëndë ndërroi jetë në një spital në Turqi. Ende nuk janë dënuar fajtorët e vërtetë, por pak para mbylljes së vitit 2023 nga ndërkombëtarët u zbardh një dosje me akuza dhe prova tronditëse për 21 Janarin. Ka qenë Gjykata e Strasburgu, e cila ka shkundur nga “themelet” Sali Berishën dhe bën gati dosjen, madje detyron SPAK ta rihapë.
Provat që sjell “Strasburgu”
Vrasjen e Aleks Nikës në bulevard, “Strasburgu” e konsideron vrasje shtetërore. Sipas vendimit, shtetit shqiptar i kërkohet të zbulojë të vërtetën, duke përmendur dy shkelje, e drejta për jetën dhe hetimi për vrasjen e demonstruesit, pas kërkesës së familjarëve që kërkojnë drejtësi. Problemet për Berishën fillojnë tek arsyetimet. Aty thuhet se i ndjeri Aleks Nika në momentin që është vrarë “nuk përbënte ndonjë kërcënim për Gardën e Republikë”. “Strasburgu” rrëzoi argumenti se mbrojtja e një ndërtese në vetvete justifikon vrasjen e protestuesve në bulevard. “Edhe nëse do të pranohej argumenti se oficerët kishin qëlluar në ajër si formë paralajmërimi, është e vështirë të imagjinohet se zjarr-qitja në një kënd të kujdesshëm do të kishte goditur në kokë të afërmin e kërkueseve, (Aleks Nikës) qoftë edhe si pasojë e një plumbi rikoshet, ndërsa ai ishte duke qëndruar në këmbë afër trotuarit përballë Kryeministrisë,” thuhet në vendim.
Çadra pistoletë e thika me helm dhe presionet ndaj Ina Ramës
Gjykata zbardh gjithashtu dhe momentin kur Berisha doli e fliste për çadra pistoletë e thika me helm. Po ashtu Strasburgu përmend presionet ndaj Prokurores së Përgjithshme të asaj kohe Ina Rama. “Zyrtarë të lartë kishin bërë disa deklarata publike të nxituara menjëherë pas incidentit, duke thënë se viktimat ishin qëlluar në distancë të afërt dhe me lloje armësh të ndryshme nga ato në përdorim nga Garda dhe policia. Prokurorja e Përgjithshme u ishte nënshtruar kritikave të ashpra nga Kryeministri i atëhershëm dhe nga një komision hetimor parlamentar, i cili kishte nisur punën paralelisht me hetimin penal. Një qasje e tillë pati një ndikim negativ në efektivitetin e hetimit, në veçanti për shkak të potencialit për t’i dekurajuar dëshmitarët për të bashkëpunuar me hetimin”, thekson gjykata.
Berisha fajtor sipas Strasburgut
“Goditje vdekjeprurëse e të afërmit të kërkueseve nga punonjësit e shtetit gjatë një proteste politike që degjeneroi në dhunë përpara ndërtesës së Kryeministrisë” dhe gjithçka pa asnjë arsyetim të qenësishëm. “Gjykata nuk mund të pranojë argumentin se mbrojtja e një ndërtese në vetvete përbënte bazë legjitime për përdorimin e forcës vdekjeprurëse” Kundër disa njerëzve totalisht të papërfshirë në asnjë akt të dhunshëm. “Në një moment të pacaktuar, disa oficerë të Gardës së Republikës filluan të përdorin armët e tyre të zjarrit, duke qëlluar me plumba manovër, por edhe të vërtetë, me justifikimin për të penguar vazhdimin e sulmit të protestuesve ndaj godinës. Rreth orës 16:10, si pasojë e të shtënave, tre protestues vdiqën në vend. A. N., i cili në ato momente ndodhej pranë trotuarit përballë Kryeministrisë dhe nuk ishte i përfshirë në asnjë akt të dhunshëm, u godit nga një plumb në kokë. Po kështu, tre viktimat e tjera ndodheshin jashtë oborrit të Kryeministrisë dhe asnjëra prej tyre nuk ishte e përfshirë në akte të dhunshme. (Pika 15 e vendimit).
Fshirja e serverëve
Po ashtu ishte me rëndësi fakti që regjistrimet video të incidentit, të ruajtura në dhomën e serverit të Kryeministrisë, ishin fshirë. Dyshimi se fshirja mund të kishte qenë e qëllimshme nuk gjeti përgjigje në procesin penal kundër një nëpunësi të teknologjisë së informacionit, proces i cili nuk arriti të përcaktonte se prej kujt dhe si ishin fshirë regjistrimet. Të tjera mangësi në hetim përfshinin mos-hetimin e mundësisë që demonstruesit, duke përfshirë edhe të afërmin e kërkueseve, ishin shënjestruar drejtpërdrejt dhe deri në ç’masë oficerët komandues kishin qenë përgjegjës për rrjedhën e ngjarjeve. Nuk ishte përcaktuar as një kronologji e saktë e ngjarjeve, duke përfshirë sekuencën dhe natyrën e urdhrave të dhënë nga ata që ishin në zinxhirin komandues të Gardës dhe momentin e saktë kur viktimat ishin qëlluar. Në fakt, disa pista kyçe hetimi, si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë, nuk ishin shteruar. Më tej, sa i përket mangësive në hetimin konkret për vdekjen e të afërmit të kërkueseve, Gjykata gjeti se autoritetet nuk kishin kryer në kohë ekspertizën mbi trupin e viktimës dhe kërkueset u ankuan se u ishte mohuar aksesi gjatë hetimit, pretendim që Qeveria nuk mundi ta rrëzojë me prova. Prandaj, marrë parasysh tërësinë e rrethanave, Gjykata gjeti se hetimi i çështjes nuk kishte qenë efektiv pasi nuk kishte arritur të përcaktonte të vërtetën apo të çonte në identifikimin dhe ndëshkimin e personave përgjegjës, çfarë përbën shkelje të nenit 2.
Deklarata që fundos Berishën
Prokurorët specialë e kanë më të lehtë se kurrë për të gjetur fajtorin kryesor dhe për të fundosur Berishën, pasi e ka pranuar hapur me gojën e tij se ishte ai që dha urdhrin për të vrarë protestuesit. Disa vite më parë ai mori përsipër jo vetëm vrasjet 21 janarit, por dhe vendosmërinë për të vrarë me snajper ish kreun e opozitës, aktualisht kryeministër i vendit Edi Rama. Më 10 dhjetor 2020, Berisha pranoi hapur në një intervistë televizive se: “Nëse Edi Rama do të afrohej të nesërmen e 21 janarit pranë kryeministrisë dhe nëse vetëm një gjethe do të prekej, 5 snajperë do ta qëllonin. Ishte Thomas Countryman me të cilin i përcolla mesazhin Ramës. A e keni dëgjuar bashkëshorten e tij të thotë poshtë e lart se shërbimet sekrete i kishin thënë se Rama do të vritej, unë isha. I thashë diplomatit të huaj se po të lëvizte edhe një gjethe në territorin e kryeministrisë ai (Rama) do ta kishte në lule të ballit nga 5 snajperë”.