Rigels Seliman
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta u shfaq i tmerruar ditën e djeshme dhe “i veshur” me një hije të çuditshme pas arratisjes dyjavore. Nuk dihet nëse paniku që i lexohej në fytyrë Metës është shenjë e ndonjë mundimi shëndetësor apo i panikut për planin e SPAK për ta arrestuar për dy dosje korrupsioni dhe pastrimi parash; Lobimi dhe CEZ-DIA. Ajo që dihet është se surpriza të hidhura priten për ish-presidenti pas kthimit të Altin Dumanit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Mundësitë janë që të përsëritet i njëjti skenar si në gushtin e vitit 2022, ku ish-kreu i SPAK Arben Kraja sapo u kthye nga Uashingtoni, vendosi për herë të parë Ilir Metën nën hetim. Këtë herë mund të jetë faza e dytë, ajo e kërcitjes së prangave, pasi firmosja apo jo e kërkesës për arrestim, pritet të merret pas kthimit nga SHBA të kreut të SPAK-ut, prokurorëve dhe hetuesve të BKH-së, vizitë nga e cila pritet të marrin mbështetje dhe udhëzime. I pyetur për dosjet, Meta u përpoq dje ta relativizojë fatin e tij të keq. “Këto janë lajme tërësisht banale, sepse janë të gjitha pa asnjë përmbajtje, tema të lodhura. Dhe po kështu nuk përbën lajm fakti që Meta të shkojë në SPAK, është një dallim shumë i fortë i Metës. Kam qenë ë SPAK me prezencën tuaj, me shkresa me dokumente“, tha Meta. Mungesën e tij në skenën politike gjatë zhvillimeve më të fundit, Meta e arsyetoi në lidhje me shëndetin. “Për hir të së vërtetës këto 2-3 javë për arsye personale të shëndetit nuk kam qenë i angazhuar politikisht,” tha Meta.
Meta merr në mbrojtje Sali Berishën
Gjithashtu Ilir Meta i ka dalë dje në mbrojtje publikisht Sali Berishës dhe dhëndrit të tij që ndodhet në burg për çështjen ‘Partizani’. I pyetur nëse po e sulmon SPAK, Meta tha se ata prokurorë që shkelin Kushtetutën e kthehen në vartës të Ramës të mos presin duartrokitje. “Duhet t’iu them me bindje se duhet të ruajmë kujtesën që të jemi koherent. Kujtesë është kjo që reforma u miratua me 140 vota, kam qenë kryetar i parlamentit. Reforma u shndërruar në Ramaformë, çdo gjë u bë më pas në kundërshti me Kushtetutën. Prokurori i Përgjithshëm u zëvendësua me 69 vota, në mënyrën më anti-kushtetuese. Kushtetuta e kishte të qartë që prokurori. S’dua të mbaj një qëndrim në bllok ndaj SPAK, reforma u bë që ti jepte sa më shumë pavarësi prokurorëve në çështjet e tyre që të ndikoheshin sa më pak nga drejtuesit e këtij sistemi. Në këtë rast mendoj se çdo gjykim duhet bërë mbi çështje konkrete, raste konkrete dhe se si respektohet Kushtetua, ligji dhe se si ecet para në çështje të caktuara. Mbështetjen më të plotë për të gjithë ata që zbatojnë ligjit, i rezistojnë presioneve politike, apo të botës së krimit. Të gjithë ata që respektojnë Kushtetutën dhe ligjin. Për të gjithë ata që sillen si vartës të Ramës, apo Agaçit, si vartës të elementëve të tjerë të PS, të mos presin duartrokitje as kur shkelin kushtetutën, as kur përdoren jo për të ndëshkuar korrupsionin, por për të asgjësuar opozitarizmin, pluralizmin politik dhe për të garantuar pandëshkueshmërinë e Ramës dhe Veliaj. Nuk mund të them që të gjithë ata atje janë ushtarë të Engjëll Agaçit, nuk dua ta pranoj ose nuk e dëshiroj. Sepse do të më vinte keq nëse ose ka ndonjë problem dikur të gjithë të jenë ushtarë ti tij, Por s’duhet të demotivojmë ata që duan të bëjnë punën e të zbatojnë ligjin, ata që duan të respektojnë Kushtetutën, që përplasen dhe rrezikojnë me krimin e organizuar. Prokurorët kanë problemet e tyre, kanë familje, bashkëshortë, të afërm. Është sistemi i patronazhistëve apo harruar ju, funksiononte edhe për drejtësinë. Secili nga ata kishte patronazhistin e vet, qoftë gjyqtar apo prokurorë, për të parë pikat e dobëta të secilit dhe pastaj për të përdorur gjithë sistemin ekzekutiv për ti mbajtur nën presion dhe për ti marrë peng, apo për ti përpunuar”, u shpreh ai.
Meta paralajmëron grevë urie
Teksa ka komentuar zhvillimet e fundit në Kuvend, ku depuetët e Rithemelimit nuk lejojnë që të zhvillohen seancat plenare, kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta thotë se do të jenë në një linjë me opozitën për rikthimin e vendit në shinat Kushtetuese. Ai tha se opozita duhet të jetë faktor i madh për rikthimin e demokracisë në vend. “Ne jemi në një linjë për rikthimin e të drejtave kushtetuese të opozitës në parlament, që të ushtrojë funksionin kryesor si garant i republikës parlamentare që është asgjësuar në kolonat e saj. Ne jemi në një linjë me çdo faktor opozitar që është për rikthimin e vendit në shinat Kushtetuese, të vendit dhe të shtetit në parimet e kontrollit dhe balancës. Nuk mund të ndodhë pa rolin që mund të marrë opozita, që është dobësuar për shkak të agresionit të qeverisë, mobilizimit shtetëror për të asgjësuar opozitën”, tha Meta. Meta nuk e përjashtoi mundësinë për të hyrë në grevë urie me Sali Berishën. “Mendoj që ka qenë një grevë urie pikërisht për ndryshimet kushtetuese, të cilat çmontuan parimin e kontrollit dhe balancës në parlament dhe i dhanë një goditje të fortë parlamentarizmit. Në do të jemi në bashkëpunim me PD dhe të gjithë faktorët e tjerë që duan një opozitë të fortë, në shërbim të demokracisë, në kontribut të rivendosjes së llogaridhënies do të bëjmë gjithçka që është e domosdoshme. Kot e keni që doni të më përçani me zotin Berisha”, tha Meta.
Meta: Rama do një Shqipëri pa opozitë
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta akuzoi dje Ramën dhe qeverinë se vjedhin taksat e qytetarëve. Meta u ndal tek inceneratori i Tiranës duke të thënë se mori edhe 800 mijë euro të tjera, ndërsa drejtësia nuk vepron ndonëse janë bërë kallëzime. Ministra dhe zyrtarë kanë vetëm një synim që të vjedhin. Inceneratori i Tiranës merr miliona euro nga Rama dhe Veliaj. Inceneratori që nuk ekziston edhe dje mori vetëm 800 mijë euro të tjera. Veliaj është i kallëzuar për rolin e tij korruptiv por drejtësia nuk vepron. Rama është arkitekt i vjedhjes shtetërore me 3 inceneratorë duke vendosur qeverinë dhe ministrat e tij në funksion të këtyre skemave zhvatëse që kanë treguar se sa thellë janë të gatshëm ata për ta future dorën pa mëshirë në xhepin e qytetarëve. Meta u ndal edhe në zhvillimet e fundit në parlament. Parlamenti është kapur për fyti nga Rama për shndërrimin në një zyrë të qeverisë që miraton ligje vetëm për të vjedhur. Bllokimi i komisioneve hetimore është dëshmi e qëllimit të qeverisë për të mos dhënë llogari, përjashtimi i deputetëve të opozitës është një mjet agresioni i hapur ndaj opozitës në mënyrë që ajo të asgjësohet në funksionin e saj dhe korrupsioni i qeverisë të mos njihet nga shqiptarët.
Meta: Projektligji për prefektin, shembull i kapjes monstruoze të shtetit nga Rama
Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka dalë dje në një konferencë për mediat. Mes të tjerash, ai është ndaluar dhe te projektligji për prefektin, ku tha se është shembull i kapjes së shtetit dhe se e kundërshton. Gjatë fjalë së tij, Meta u shpreh kundër projektligjit që i jep më shumë kompetenca prefektëve. Ai tha se po centralizohet pushteti në duart e Ramës. “Është super centralizimi i pushtetit abuziv në duart e Edi Ramës, ai që nuk e lejon Shqipërinë të ngrejë kokë. E kundërshtojmë fuqimisht, iniciativën e re ligjore të Edi Ramës për ti dhënë fuqi më të mëdha ekzekutive Prefektëve, pra të emëruarve të Edi Ramës, mbi pushtetin vendor. Pasi rrëmbeu shumicën e kompetencave të pushtetit lokal, Edi Rama miraton këtë ligj, që shkon kundër ligjit të veqeverisjes vendore, duke cënuar autonominë e organeve të pushtetit vendor që burojnë vetëm nga vota e sovranit dhe nuk mundet kurrësesi të jenë skllave të kryeministrit dhe mazhorancës parlamentare. Kjo është përpjekja e fundit për të rrëmbyer tërësisht pushtetin vendor në duart e qeverisë dhe shkatërruar vullnetin e qytetarëve”, deklaroi Meta.