Ilir Meta futet në burg.Ish presidenti i Republikës, aktualisht Kryetari i Partisë së Lirisë, do të qëndrojë në një nga qelitë e paraburgimit tek “313-a” në Tiranë, të paktën deri në përfundim të hetimeve që SPAK ka nisur ndaj tij dhe bashkëshortes në proces divorci, Monika Kryemadhi.
Në 5 orë seancë, e cila nisi mëngjesin e sotëm (23 tetor 2024) me 3 orë shkëputje si kohë që palët të njiheshin me dosjen 167 faqe të SPAK, gjyqtari i posaçëm Erjon Çela la të pandryshuar masën e arrestit në burg për ish-presidentin Meta.
Monika Kryemadhi, nën të njëjtat akuza si Meta, korrupsion, pastrim parash e fshehje të pasurisë, do të duhet të paraqitet në SPAK 1 herë në muaj.
Për 2 dosjet që SPAK bashkoi në 1, CEZ-DIA dhe lobimin në SHBA, pasuar nga një hetim pasuror, Kryemadhi i doli në mbrojtje Metës duke thënë se akuzat janë politike, pa prova, e shkoi deri në vetësakrifikim për të qëndruar ajo në burg e Meta në liri, për pjesën e shpenzimeve të padeklaruara të çiftit, qoftë ato për blerje banesash, shërbime mjekësore apo blerje me karta krediti.
Çështja e CEZ-DIA ka nisur prej 6 vjet, e kanë bashkuar me akuzat e mija, dhe ishte shumë qesharake kur prokurori tha Monika Kryemadhi ka hequr mitrën në bashkëpunim me Ilir Metën. Për gjëra që bën Mona është në burg Meta. Sapo i thashë Gjokutajt je avokat jo serioz, duhet të kërkoje detyrim paraqitje për Metën, arrest me burg për mua”, tha deputetja.
Gjuhën e ashpër ndaj drejtësisë Ilir Meta e artikuloi edhe në dyert e gjykatës, përballë 3 prokurorëve të SPAK të cilët kërkuan arrestimin e tij, Altin Dumanit, Arben Krajës dhe Sotir Kllapit. Në nisje të seancës me dyer të mbyllura, (ora 09:00) Meta iu drejtua me kërcënime të hapura, fjalë të rënda dhe ofenduese ndaj kreut të SPAK, duke e cilësuar “Dumduman”, “Qen” dhe madje ka kapur veshin duke i thënë “Këtu ta kam, mbajë mend çfarë kam për të të punuar”.
Nga ana e tyre të tre prokurorët nuk reaguan por mbajtën qetësinë.
Të njëjtën gjuhë përdori ndaj tyre edhe Monika Kryemadhi, e cila në eksperiencën e saj të parë me një seancë, ashtu siç paralajmëroi në hyrje të Gjykatës së Posaçme, u kujdes më shumë të shohë fytyrat e hetuesve dhe nivelin e tyre të inteligjencës.
Gjuha e ashpër u qetësua me ikjen e Dumanit për shkak të axhendës dhe rinisjen e seancës në orën 13:30.
Futjen në një sallë me Ilir Metën në seancën drejtuar nga gjyqtari Kryemadhi e quajti provokim.
“Qëllimisht na futën në një sallë për të marrë masa arresti në grup ku secili nga ne ka masën në mënyrë individuale’
Por si e pa vetë ajo qëndrimin e Ilir Metës ndaj prokurorëve? Kryemadhi shfrenoi edhe më tej gjuhën.
Sapo pashë tre musketierët e drejtësisë së Ramës, Dumanin, Krajën dhe Kllapi dhe gjyqtarin Çela. Ku kanë by*hë ata me fol, ku flasin sot ata pa lejen e Ramës. Ka që në 2021 që kam bërë padi për Inceneratorët, keni parë gjë të ndodhë, paguajnë para çdo ditë. Bujaria e gjyqtarit të drejtësisë së kastruar të Ramës na la vetëm 3 orë kohë për të parë dosjen, për të parë të gjitha provat, gjë e di që s’ka asnjë prove dhe mendon se 3 orë do jenë shumë pak… ”, tha Kryemadhi.
Për babain e deputetes Erisa Xhixho, Piro Xhixho nga arrest shtëpie për korrupsion pasiv gjykata caktoi detyrim paraqitje për shkak të gjendjes shëndetësore, ndërsa për Ema Cokun, mike e Kryemadhit mbeti në fuqi në masa detyrim paraqitje për pastrim parash.
SPAK arrestoi më 21 tetor 2024 kreun e Partisë Ilir Meta, nën akuzë për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë. Të njëjtat akuza rëndojnë edhe ndaj Monika Kryemadhit.
Çifti Meta-Kryemadhi akuzohen se ndër vite kanë ushtruar pushtetin e tyre për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme dhe kanë fshehur burimin e tyre duke përdorur edhe familjarët. 2 dosjet ndaj Metës, Cez-Dia dhe lobimi në SHBA janë bashkuar tashmë në 1 hetim.
Ndaj Piro Xhixhos, babai i Erisa Xhixhos, rëndon akuza korrupsion pasiv. Sipas SPAK ai dyshohet se ka shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP-it, ku u propozua nga LSI-ja, dhe në zbatim të porosive të marra nga Meta dhe Kryemadhi ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes, si dhe ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP.
Ndërsa ndaj Ema Çokut rëndon akuza e pastrimit të parave.
Akuzat dhe masat e sigurisë
1 – Ilir Meta – ‘arrest me burg’
3 akuza: “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
2- Monika Kryemadhi- ‘detyrim paraqitjeje’
3 akuza – “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, Refuzim për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rrëmë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë”.
3- Ema Çoku- ‘detyrim paraqitjeje’
Akuza: Pastrim i produkteve të veprës penale e kryer në bashkëpunim.
4- Piro Xhixho- Detyrim me paraqitje
Akuza: “Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”.