E enjte, 20 Mars, 2025

Gjykimi i shkurtuar “shpëton” Vangjush Dakon, ish-kreu i Bashkisë së Durrësit dënohet me 2.8 vite burg

Share

Gjykata e Posaçme ka dënuar me 4 vite burg ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako, por duke ja reduktuar në 2.8 vite për shkak të gjykimit të shkurtuar.

Aktualisht ish-zyrtari i lartë që është nën masën e arrestit në shtëpi akuzohet se ka shpërdoruar detyrën me zbardhen e një leje ndërtimi për një pallat në vitin 2014, si dhe për shpërdorim detyre për tenderin e supervizimit te promenadës për vijën bregdetare me vlere rreth 200 mije euro.

Ishte SPAK që kërkoi 4 vite burg, por duke qenë se Dako u gjykua me gjykim të shkurtuar, atij i ulet 1/3 e dënimit dhe shkon në 2.8 vite. Por duke qenë se Dako ka afro një vit e gjysmë nën masë sigurie, fillimisht në qeli e më pas në “arrest shtëpie”, atij i mbeten vetëm shumë pak muaj për të ezauruar dënimin, diku te afro 6 muaj. Kjo pasi paraburgimi njihet si 1 ditë e gjysmë vuajtje dënimi.

Ndërkohë Fiqiri Farruku, Ardian Bulku dhe Fatmir Ejupi u dënuan me nga 2 vite burg, por gjykata ka vendosur pezullimin e dënimit me burg për të tre.

Dako u vu në pranga në qershor të vitit 2023, por u lirua në arrest shtëpie në shkurt të këtij viti, për shkak të kalimit të afateve.

Në përfundim të hetimeve ka rezultuar se Dako ka kryer veprime në kundërshtim me kompetencat e kryetarit të bashkisë në miratimin e lejes së ndërtimit në favor të shoqërisë “Fakle sh.p.k, pasi Dako dhe zyrtarët e kësaj bashkie i përpiluan dokumentet dy vjet pasi ndërtimi kishte përfunduar dhe banorët banonin në pallatin në fjalë.

Hetimi i SPAK konkludon se, “është bërë legalizimi i një objekti shumëkatësh, të ndërtuar pa leje, ndërkohë që dhe vetë ndërtimi nuk është bërë sipas projektit të paraqitur nga ndërtuesi dhe të miratuar nga Bashkia Durrës”.

Vepra e dytë penale për të cilën do të gjykohet Dako ka të bëjë me një procedurë prokurimi, për shërbim konsulence, sigurimin e një projekti të quajtur “Projektim zbatim për Promenadën Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila”.

Sipas SPAK, komisioni i ngritur me urdhër të Dakos, ka kryer gabim llogaritjet e fondit limit, me një vlerë gati dhjetë herë më shumë se ajo që duhet të llogaritej në bazë të Vendimit të Këshillit të Ministrave.

Dako ka nxjerrë urdhrin e prokurimit me vlerën e llogaritur nga Komisioni dhe ka bërë një vesh të shurdhër dhe ka vijuar pagesat ndaj shoqërisë fituese edhe pse Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar gabimin dhe ka kërkuar rikuperimin e dëmit ekonomik. Dëmi ekonomik ndaj shtetit në këtë rast llogaritet në masën 18.3 milion lekë.

Te tjera

Lajme te tjera