Rigels Seliman
Orë vendimtare për fatin e orkestruesëve të masakrës së “21 Janarit”. Teksa rikthimi i tensionit mes palëve, për çdo përvjetor, është i pritshëm, Gjykata e Lartë, mund t’i hapë rrugë shqyrtimit të dosjes së “21 Janarit”. Do të lajë duart me këtë dosje apo do t’i hapë telashe Sali Berishës, kjo mbetet për t’u parë në ditët e fundit të janarit, pasi zyrtarisht mësohet se Gjykata e Lartë ka vendosur të marrë në dorë dosjen. Burime zyrtare nga Gjykata e Lartë kanë bërë me dije për gazetën “SOT”, se në datën 27 shkurt ora 13.10 në dhomë Këshillimi në Kolegjin Penal të Gjykatës së Lartë, me një trup gjykues të përbërë prej Ilir Panda Kryesues, Sokol Binaj relator dhe Sandër Simoni anëtar, do të shqyrtohet rekursi i Av. Idajet Beqiri, si përfaqësues ligjor i znj. Rajmonda Nika, bashkëshorte e Aleks Nikës, vrarë prej strukturave të shtetit në 21 janar 2011 në Tiranë. Megjithatë, çdo lëvizje në raport me këtë çështje shqetëson dhe tensionon Sali Berishën të akuzuarin kryesor për vrasjet e 21 Janarit. Duhet theksuar se, Sali Berisha, ndonëse i identifikuar si frymëzuesi, orkestruesi dhe organizuesi i ngjarjeve, është lënë jashtë hetimeve për “21 Janarin”.
Fillojnë ditët “e zeza” për Berishën
Për Gjykatën e Lartë këtë herë presioni është shumë i madh pasi para pak javësh, Gjykata Europiane e të të Drejtave të Njeriut, e cila shqyrtoi edhe një herë nga e para krimin shtetëror të 21 janarit, pas padisë së familjarëve të Aleks Nikës nxori si përfundim se shteti ishte vrasësi, duke tejkaluar kompetencat, Sali Berisha prishi provat shkresore e filmike, mori nën sqetull të dyshuarit si ekzekutorë dhe sulmoi e pengoi me sa mundi hetimin e prokurorëve. De facto para nesh u shfaq një ngjarje e hetuar në mënyrë hipokrite dhe duke fshehur fajësinë e autorëve kryesorë, një tragjedi e shkaktuar me dorën e shtetit, e cila është tentuar rregullisht të kamuflohet nga vetë shteti. Por çfarë tregon tjetër vendimi i Strasburgut? Dosja e 21 janarit me prova të rindërtuara dhe të paprishura është në duart e ndërkombëtarëve. Amerikanët kanë dhënë shpesh sinjale për hapjen e kësaj dosjeje. Në raportet e Departamentit Amerikan të Shtetit si shembull të dhunës politike, DASH përmend gjithmonë 21 Janarin. Vetë gazetari Artan Hoxha konfirmoi pak muaj më parë se materialin që nxori pas 12 vitesh ku tregonte me zë se protestuesit janë vrarë me urdhër nga lart e ka marrë nga shërbimet e huaja. “Ky material është regjistruar nga aleatët tonë. Kur dalin këto vendimet non grata dhe kur këta të shpallur kërkojnë prova mua më vjen të qesh sepse ata e dinë çfarë provash kanë. Regjistrimi është bërë nga një vend aleat. Ma vuri në dispozicion për të bërë leximin e ngjarjes. Më në fund pas 12 vitesh, mu dha mundësia të kem një provë që dëshmon se vrasjet janë bërë me urdhër dhe oficerët që kanë qëlluar me urdhër. Ky material që është siguruar pas një kohe kaq të gjatë i jep mundësinë që të gjejë përgjegjësin dhe t’i qetësojë familjarët. Komunikoni vetëm stafi drejtues dhe ai që konsiderohej grupi i zjarrit,” u shpreh Artan Hoxha.
Ndërhyrja e FBI
Nga 21 janari ka shumë prova të fshira nga dora shqiptare dhe një nga ato që u përmend nga Strasburgu është dhe serveri i Kryeministrisë. Por kur të vijë momenti i hapjes nga SPAK i kësaj dosjeje, kjo provë do të dalë në dritë dhe do të jenë pikërisht amerikanët. Kujtojmë se në ato vite, ekspertët e FBI arritën të rikuperonin serverin. Aty zbulohet qartë dinamika e ngjarjeve që ndodhën atë ditë, del kush ka qëlluar mbi turmën dhe se kush do të mbajë përgjegjësi për vrasjen e katër demonstruesve dhe plagosjen e dhjetëra të tjerëve. Ky material u raportua se në vitin 2012 u vendos në duart e drejtësisë së vjetër. Kanë qenë dy agjentë të FBI, të cilët kanë mbërritur në aeroportin e Rinasit me materialin e ekspertuar. Ata ju kanë dorëzuar pjesëtarëve të drejtësisë jo vetëm serverin e kryeministrisë, tashmë të plotë me të gjitha të dhënat, 14 gëzhoja dhe po aq predha-plumba, por edhe një valixhe me armë të cilat janë përdorur në vendngjarje. Gjithashtu është dorëzuar edhe dokumentacioni i plotë shkresor i argumentimit shkencor-profesional. Por edhe me gjithë këtë ndihmë, nga amerikanët, Berisha me presionit e tij, siç e tregoi dhe vendimi i Strasburgut arriti që ta mbyllë çështjen. Serveri i kryeministrisë ishte prova kyçe që do të vinte para drejtësisë ata që qëlluan mbi turmën pasditen e 21 janari 2001. Por pamjet filmike ishin fshirë, me një urdhër që dyshohet se është dhënë në qeveri për të eliminuar çdo provë të inkriminimit të Gardës së Republikës, e cila u mbrojt fuqimisht nga Berisha vetëm disa orë pas vrasjeve të pajustifikuara.