Rigels Seliman
Avokat i njohur, Idajet Beqiri paralajmëron se një tjetër kallëzim do të mbërrijë në dyert e SPAK për ngjarjen e 21 janarit 2011. Avokat Beqiri zbuloi dje gjatë një prononcimi për “Report Tv”, se më 21 janar ishte planifikuar edhe vrasja e një tjetër protestuesi, Sokrat Godo nga Berati, ish-oficer i Policisë Gjyqësore. Sipas Beqirit, ai është qëlluar në zemër më 21 janar, por ka arritur që të shpëtojë. Madje thotë se kanë përgatitur kallëzimin që do dorëzojnë në Prokurorinë e Posaçme, e cila tashmë ka nisur hetimet për 21 janarin, ngjarje në të cilën mbetën të vrarë 4 protestues nga plumbat e shtetit. Beqiri, i cili është edhe avokati mbrojtës i familjes Nika, tregon edhe çfarë ka ndodhur, ndërsa shton se Godo kërkon që prokuroria e Posaçme të deklarohet edhe për këtë tentativë vrasje. Sipas Beqirit, kreu i SHIK-ut të Beratit ishte vëllai i ish-komandantit të Gardës Ndrea Prendi. Beqiri thotë së kreu i SHIK-ut të Beratit lajmëroi Prendin dhe sipas tij, më pas protestuesin Godo e shënjestruan për ta vrarë. “Godo ka qenë oficer i Policisë Gjyqësore dhe erdhi në protestë, njihej si një veprimtar i PS në atë kohë. Sa u nis nga Berati, për të vajtur në protestë, kryetari i SHIK-ut të Beratit ishte vëllai i Ndrea Prendit dhe ai ka njoftuar të vëllanë e vet që edhe ky që është ekstremist gjoja, po vjen në protestë. Dhe u shënjestra për t’u vrarë dhe u qëllua me snajper në protestë, në zemër. Dhe në momentin që u qëllua në zemër kishte një shishe ujë në dorë dhe ia dha një protestuesi që po i binte të fikët. Ai kërkon që SPAK të deklarohet për këtë, i ka të gjitha raportet mjekësore dhe shenjën e plumbit. Do bëjë edhe ai një kallëzim penal”, deklaroi ai. Sa i takon audiokasetës që SPAK ka tashmë si provë, Beqiri thotë se vërteton që urdhri për vrasjen e protestuesve është dhënë nga kryeministri i kohës, Sali Berisha, dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha. “Provë e fuqishme që vërteton, që u vë vulën 99 provave të tjerave, që urdhri është dhënë nga kryeministri i kohës dhe ministri i Brendshëm që ishte në zyrën e tij në atë moment. Në atë audio përgjim që është një provë e rëndësishme, se është marrë nga një kanal i radios”, u shpreh ai.
Detajet
Më herët avokat Beqiri ka treguar se si protestuesi në fjalë shpëtoi për mrekulli nga ekzekutimi, ndërkohë që zbuloi se ai ndërroi 6 vende kur e çuan në spital, pasi egziztonte frika për ta eleminuar ata që e donin të vdekur. “Si protestë krimi krahas të tjerave do të jetë Sokrat Godo, ish-oficer policie i hequr me nenin 24 A të Sali Berishës në atë kohë dhe ai njihej se çfarë bindjesh kishte që ishte paralajmëruar edhe që nuk duhej të vinte në atë kohë. E paralajmëruan që para se të nisej dhe i thanë që do të vrasim po të vish, sepse ti jep personin që SHIK-u të ndjek, pasi të ketë piketuar si njeriun që i opozitës. Ia bllokon ata të SHIK-ut në Berati dhe kryetari i SHIKUT-ut në Berat ishte vëllai i Ndrea Prendit. Kështu që janë të lidhura me zemër dhe dëshmia e tij, shënjestra ku është e drejtë plumbin për ta vrarë, por që ka bërë në spital. I shkuan kulistët e Saliut edhe për ta zhdukur në spital por shyqyr ishte i profesionit dhe arriti që të ndërronte 6 të ndryshme në spital dhe doli i gjallë prej andej. Por do të ketë dhe mjaft surpriza të tjera që do të thirret edhe Lulzim Basha e do të jap përgjigje”, ka thënë avokati Idajet Beqiri pak javë më parë për gazetën “SOT”.