Komandanti Suprem i Aleatëve të NATO-s për Evropën, gjenerali Christopher Cavoli, ka thënë se pavarësisht se si përfundon lufta në Ukrainë, Evropa dhe Shtetet e Bashkuara do të kenë të bëjnë me një Rusi më të fortë dhe më të zemëruar për vitet në vijim.
Në reagimin e tij nga Parisi ku ishte prezent gjatë ekspozitës së armëve të reja ndërkombëtare, Cavoli tha se disfata e Rusisë në Ukrainë është e rëndësishme por, në të ardhmen e afërt sipas tij do të përballemi me një Rusi e cila ka një ushtri që do të rindërtohet më shpejt se sa e imagjinonim.
“Disfata e Rusisë në Ukrainë është jashtëzakonisht e rëndësishme, por pavarësisht se si do të përfundojë kjo në anën e largët të konfliktit, ne do të gjejmë një Rusi që ka një ushtri që rindërtohet shumë më shpejt nga sa e imagjinonim. Pra, ne do të kemi një problem të madh me Rusinë për vite me radhë dhe mendoj se duhet të përgatitemi për këtë”, tha Cavoli.
Shqetësim për Cavolin është faktin se Rusia po krijon aleanca të forta dhe të konsoliduara me Korenë e Veriut dhe Iranin, dy nga armiqtë e përbetuar të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Rusia nuk është vetëm, vuri në dukje ai, duke analizuar edhe vizitën e fundit të Vladimir Putin në Phenian dhe Vietnam. Sakaq, ushtria ruse ka kryer një sulm “masiv” ndaj infrastrukturës energjetike në Ukrainën perëndimore dhe jugore. Kështu ka bërë të ditur Ministria e Energjisë.
“Disa impiante në rajonet e Zaporizhzhia dhe Lviv u dëmtuan”, shtoi ministri, duke specifikuar se dy punonjës u plagosën dhe u dërguan në spital. Ndërkohë, një tjetër problematikë është shfaqur për ukrainasit. Media amerikane, Ëashington Post, bën me dije ankesën e zyrtarëve ukrainas, pasi SHBA nuk i ka lejuar ata që të godasin më shumë se 100 km nga kufiri rus me armët amerikane. Zyrtarët amerikanë nuk pranuan të specifikonin kufizimin, por thanë se pretendimi i ukrainasve për më pak se 100 kilometra ishte i pasaktë