Pavarësisht se janë bërë 6 muaj që kur Sali Berisha shkeli për herë të fundit në Parlament, përpara se GJKKO të vendoste masën “arrest shtëpie”, atij nuk do t’i hiqet mandati i deputetit.
Në konferencën e kryetarëve të mbajtur
me dyer të mbyllura ku diskutua mundësia e heqjes së mandatit të Berishës, Partia Socialiste ka vendosur të mos marrë asnjë vendim.
Ka qenë kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla, ajo e cila ka thënë se pas këshillimit me njohësit e Kushtetutës, masa e arrestit në shtëpi nuk konsiderohet mungesë pa arsye në Kuvend.
“Dua t’i japim fund spekulimeve. Qenia e një personi nën këtë masë nuk mund të konsiderohet si mungesë pa arsye në Kuvend. Jemi konsultuar me njohës të ligjit dhe Kushtetutës”, mësohet të ketë thënë Nikolla në mbledhjen e Konferencës së Kryetarëve.
Qëndrimin e socialistëve e kanë përshëndetur demokratët, ku kreu i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi i pranishëm në mbledhje ka mirëpritur këtë hap për të mos rikthyer klimën e konfliktit në Kuvend.
Ky veprim i PS-së, konfirmon edhe një herë pazarin Rama-Berisha. Si në rastin e amnistisë penale, ku Rama i dha Berishës dy komsione hetimore në këmbim të votimit të amnistisë penale, tani pritet që pasi Berisha mori vulën dhe shpëtoi mandatin, t’i jap diçka në këmbim Ramës.
Me shumë mundësi pazari do të konsistojë me pjesmarrjen e opozitës në Komisionin “Xhafaj”, i cili u bojkotua prej tyre në mbledhjen e parë.