Drejtësia e re po qep dosjen “CEZ-DIA që mund të fundosë ish-presidentin Ilir Meta. Në 30 vite ai është zhytur në shumë afera, por gjithmonë i ka shpëtuar ndëshkimit. Por dje ka pasur një zhvillim të bujshëm nga SPAK, pasi prokurorët po “zbërthejnë” prapaskenat të një interviste me video që rrezikon të “përvëlojë” kreun e Partisë së Lirisë. Për këtë provë është thirrur dje në SPAK, gazetari Fatos Mahmutaj. Ai u mor në pyetje në lidhje me një intervistë që i ka marrë bashkëshortes së Kastriot Ismailajt pronar i Kompanisë DIA, i vetmi i ndëshkuar për këtë aferë. Mahmutaj ka zbardhur detaje të reja mbi intervistën që ka realizuar me Vojsava Ismailajn, bashkëshorten e Kastriot Ismailajt pronar i Kompanisë DIA i përfshirë në aferën 400 milion euro të CEZ-DIA. Vojsava Ismailaj, siç deklaroi Mahmutaj ka akuzuar Metën se i ka bërë presion bashkëshortit të saj, madje “se i ka marrë para”. “Ajo akuzonte Ilir Metën si njeri që i bënte shantazh Ismailajt, i kërkonte para. Më ka thënë se Meta ishte ai person që bënte presion se i duheshin. Ajo më tha se e ka paguar disa herë. Në momentin që nuk e pagoi ai u hodh si një mish për top në organet e drejtësisë për t’u arrestuar”, ka thënë pak kohë më parë Mahmutaj. Edhe juristi Romeo Kara, personi, i cili denoncoi publikisht aferën ‘CEZ-DIA’”, u shpreh se Mahmutaj është marrë në pyetje për të bërë verifikimin e intervistës. “Është një pjesë shumë e rëndësishme e atij procesi. Është personi që i ka vënë kapakun bindjes time për rolin e Metës në atë aferë. Besoj po bëhet verifikimi i intervistës që ka bërë. Hetimet ndodhen në fazën që po verifikohen sa të vërteta dhe të qenësishme janë faktet dhe provat. Po avancohet në fushën e investigimit. Besoj se jemi në momentet e fundit të investigimit”, tha ai në një intervistë televizive.
Rrëfimi i Vojsava Ismailajt që trondit Metën
Në dëshminë e dhënë për gazetarin Fatos Mahmutaj, në tetor 2017, Vojsava Ismalilaj thotë se Ilir Meta, si pjesë e pushtetit të Berishës, ka ndikuar që ERE të ulëte çmimin e energjisë që KESH ia shiste CEZ, ndërsa CEZ ua shiste shqiptarëve. Në dhjetor të vitit 2010 ERE uli çmimin e shitjes së energjisë nga KESH tek CEZ me 27 për qind; nga 2.03 lekë në 1.48 lekë. Ky vendim u mor nga ERE në dhjetor të vitit 2010, pasi DIA ishte paguar 1.48 milionë euro nga CEZ. Kujtomë që në shtator 2010, CEZ kishte hyrë në partneritet me DIA për të mbledhur faturat e papaguara të energjisë elektrike. Vojsava Ismalilaj thotë se Ilir Meta i kërkoi Kastriotit që t’i kërkonte CEZ shpërblim për këtë favorizim. Gjithashtu, Vojsava Ismalilaj thotë se Meta i kërkonte Kastriotit shuma të mëdha eurosh. Sipas saj, Kastrioti kishte lidhje me Metën që kohën e krijimit të FRESH. Vojsava Ismalilaj hedh dyshime të forta se Ilir Meta fshihet edhe pas mbylljes së kompanisë DIA dhe tërheqjes së Arbitrazhit pasi kishte plasur skandali. Ajo flet për lidhje mes Ilir Metës dhe Rebeka Gaski Gai, përfaqësuesja ligjore e DIA-s. Vojsava Ismalilaj thotë se Rebeka Gaski Gai ka qenë në Tiranë në nëntor 2014, ku është takuar pikërisht me Majlind Lazimin, djali i hallës së Monika Kryemadhit, ish drejtor i LSI-së në krye të Postës. Dhe në fakt Majlind Lazimin rezulton se ka udhëtuar edhe me vetë Kastriot Ismailaj. Më pas, sipas saj, Lazimi e ka çuar Rebeka Gaski Gai në takim tek shtëpia e Ilir Metës. Më pas, në skenë del Arjan Laçi, i cili sipas Vojsava Ismalilaj e ka çuar Rebeka Gaski Gai në takim tek ministri Gjiknuri dhe kryeprokurori Adriatik Llalla. Arjan Laçi ishte ortaku i Kastriot Ismailaj, i cili ka tërhequr edhe para nga llogaritë e DIA-s. Sipas Vojsava Ismalilajt, Ilir Meta, prokuroria, Rebeka Gaski Gai dhe Arjan Laçi kanë bashkëpunuar për të bërë ‘kurban’ Kastriot Ismailajn, me qëllim për ta mbyllur historinë e korrupsionit, për të shpëtuar vetë Meta, Rebeka Gaski Gai dhe Arjan Laçi, të cilët kishin qenë bashkëpunëtorë me Kastriotin. Pas këtyre lëvizjeve, Vojsava Ismalilajt thotë se në 1 dhjetor 2014, Rebeka Gaski Gai ndryshon administratorin e DIA-s, duke vendosur Ali Cenën, i cili pezullon kompaninë. Më pas, Rebeka Gaski Gai tërheq DIA-n nga Arbitrazhi pa vullnetin e Kastriot Ismailajt. Nuk dihet nëse SPAK do t’i administrojë këto deklarata të Vojsava Ismalilajt dhe të kryejë në hetim nëse përputhen me veprimet në terren. Por, dëshmia e Vojsava Ismalilajt është në sinkronë me dëshminë e Jozef Hejsek, ish-shefi ekzekutiv i CEZ, i cili ka deklaruar se Ilir Meta kishte rekomanduar Kastriot Ismailajn si “njeriun e tij të besuar” për mbledhjen e borxheve të vjetra për llogari të CEZ Shpërndarje. Gjithashtu, avokatët që përfaqësonin OSHEE-në në arbitrazhin ndërkombëtar në Vjenë, pretenduan se kishin prova që Ilir Meta kishte ryshfet nga biznesmeni i akuzuar për mashtrim dhe pastrim parash, Kastriot Ismailaj. Dritan Prifti, një nga njerëzit më të afërt të Ilir Meta, më pas armiku i tij më i përbetuar, ka rrëfyer se Meta ka udhëtuar pati udhëtuar në Çeki për të negociuar kontratën për Kastriot Ismailajn, të cilin e konsideronte si një person me dosje. Në shtator të vitit 2015, Sali Berisha deklaronte në Parlament se Ilir Meta nuk kishte pasur asnjë tagër për të negociuar kontratën CEZ-DIA në Pragë. Në qershor të 2019, publikoi një investigim, ku Ilir Meta, një ditë para zgjedhjeve te 2009, i kërkon me urgjencë Kastriot Ismailaj një shumë prej 200 mijë euro.