Kreu i PD, Sali Berisha ka hedhur akuza të rënda ndaj kreun e SPAK-ut Altin Dumani ditën e sotme në një konferencë për mediat.
Ai tha se kreu i SPAK po mban në sirtar dosjet e krimit në Shkodër, edhe pse sipas tij i di shumë mirë kush janë vrasësit dhe porositësit.
Sipas Berishës, Dumani po bën lëvizje të komanduara nga kryeministri Edi Rama.
“Udhëtimi i Altin Dumanit në Shkodër ishte dëshmi e kthimit të kriminelit në vendin e krimit, sepse krimet e kryera në Shkodër të gjitha flenë në dosjet që mban në sirtar më i ligj njëqind herë se Nuredini, Altini i prokurorisë speciale. Pra, siç e shihni, kaluan 10 ditë. Ndonëse Shkodra e di shumë mirë edhe dorasin, edhe porositësin, por këto po i mbyll Altin Dumani, po i mbyll Mondi i Sulës, po i mbyll Proda i bandave, Hoxha i bandave dhe Edi Rama që i ka licencuar. E konsiderova të domosdoshme të paraqes para medieve dëshminë tjetër sot pas 10 ditësh asnjë pistë, sepse pista e vetme është shteti”, u shpreh Berisha.
Berisha foli për masakrën me katër të vdekur në Shkodër ku tha se pas krimit fshihet banda e Bajrave, që sipas tij veproi me “visto” politike.
Një qëndrim të ngjashëm mbajti edhe i ati i një prej viktimave Mustafa Lici.
Më tej, Berisha u shpreh se Banda Bajri është autorizuar të pastrojë terrenin për të siguruar mandatin për Ramën në zgjedhjet e ardhshme.
Më tej, ai akuzoi se drejtuesit e policisë janë të emëruar të krimit të organizuar.
“Kur unë deklarova se pjesëmarrëse në këtë masakër është Policia e Shtetit, Mondi, i cili u duhej atyre sipas regjistrimeve për të kryer ca punë, Mondi qëndron në krye të vendosjes së narkopolicisë në shërbim të bandës. Por nuk është vetëm Mondi. Mondi tjetër në krye të ministrisë është një përfaqësues i njërës prej bandave më të rrezikshme të Shqipërisë dhe Ballkanit, i Troplinëve. Ai është emëruar aty nga banda e Troplinëve për të mbuluar të gjithë veprimtarinë e tyre dhe të ortakëve të tyre në Shqipëri. Kurse Mondi tjetër famëzi në krye të polici, i implikuar në trafiqe, por edhe në vrasje siç flitet rëndom, përfaqëson bandën e Elbasanit”, shtoi ai.