E enjte, 13 Shkurt, 2025

Donald Trump betohet president i 47-të: Zoti më shpëtoi ta bëj Amerikën të madhe sërish, nis epoka e artë! Ndalojmë luftërat e nuk hyjmë më në to! Ndryshojmë emrin e Gjirit të Meksikës

Share

Donald Trump mori zyrtarisht detyrën si president I 47-të i SHBA-ve, teksa u betua me dorën mbi Bibël duke thënë fjalët e betimit të Kushtetutës. Mes duartrokitjesh ai artikuloi fjalimin e parë si president. Trump e pershkroi Amerikën që po merr në dorëzim shumë të zymtë, por tha se tani fillon periudha e artë e saj.

“Periudha e artë e Amerikës fillon që tani. Tani e tutje vendi ynë do të lulëzojë dhe të respektohet në të gjithë botën. Do të jemi zilia e çdo shteti dhe nuk do të lejojmë të na përdorim më. Në çdo ditë të administratës Trump unë do të vendos Amerikën të parën”,-tha republikani 78-vjeçar.

Ai nuk kurseu kritikat ndaj ish-numrit 1 të Shtëpisë së Bardhë të cilin e kishte vetem disa centimetra pas shpine.

“Sot, qeveria jonë përballet me një krizë besimi. Për shumë vite, një establishment radikal dhe i korruptuar ka nxjerrë pushtet dhe pasuri nga qytetarët tanë, ndërsa shtyllat e shoqërisë sonë ishin të thyera dhe në dukje të rrënuara plotësisht. Tani kemi një qeveri që nuk mund të menaxhojë as një krizë të thjeshtë brenda vendit dhe në të njëjtën kohë ngec në një katalog të vazhdueshëm ngjarjesh katastrofike jashtë vendit”,- theksoi Trump.

Për emigracionin, Trump do të shpallë një gjendje emergjence në kufirin me Meksikën. Kriza energjitike dhe inflacioni janë disa nga problemet ku ai tha se do të veprojë menjëherë.

Autoritetet lokale do të kenë kompetenca të reja për të luftuar emigracionin e paligjshëm. Sa i takon politikës së jashtme Trump u fokusua vetëm tek Kina dhe kanali i Panamasë, të cilin kërkon ta rimarrë mbrapsht për shkak të dëmeve tregtare ndaj anijeve amerikane.

Shpallja e grupeve të drogës si grupe terroriste dhe ndryshimi i emrit të Gjirit të Meksikës në Gjiri i Amerikës ishin të tjera zotime që presidenti i 47-të dha në sallë ndërsa shpalli ambiciet e reja për të pushtuar hapësirën, me misionet në Mars, që do të çojnë flamurin amerikan në atë planet.

Sipas traditës dhe protokollit, Trump dhe bashkëshortja e tij Melania zbritën më pas shkallët e Kongresit së bashku me ish-çiftin presidencial Biden.

Joe dhe Jill u përcollën me nderime drejt helikopterit presidencial, i cili i transportoi ata drejt bazës militare Endrjus. Biden përmbyll mandatin e tij 4-vjeçar të vështirë.

Demokrati 82-vjeçar me gjasë përfundon edhe karrierën e tij politike ku shënoi një rekord prej 50 vitesh në shërbim publik.

Te tjera

Lajme te tjera