Rigels Seliman
Faqja e lajmeve të Bangladeshit “Dhaka Tribune” ka pasqyruar disa mesazhe të forta të Ndihmës Sekretarit të Shtetit i Shteteve të Bashkuara për Çështjet e Azisë Jugore dhe Qendrore, Donald Lu, i cili ka qenë ambasador i SHBA në Tiranë në vitet 2015-2018. Teksa ai flet për sovranitetin e Bangladeshit dhe luftën ndaj korrupsionit në të gjitha nivelet, Donald Lu ka përmendur dhe Shqipërinë. Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Lu ka hequr një paralele me qeverinë “Rama” kur ai ishte me detyrë në Tiranë. “Ministrat e qeverisë së Bangladeshit kanë lëshuar deklarata se këto akuza për korrupsion do të hetohen plotësisht dhe ne e mirëpresim këtë. Kur isha ambasador në Shqipëri dhe në Republikën e Kirgistanit, ne vendosëm sanksione ndaj zyrtarëve të korruptuar. Ishte e papëlqyeshme nga qeveria (shqiptare) në atë kohë, por tani ish-zyrtarët e ndaluar të korruptuar janë të gjithë në burg. Shoqëria në mbarë botën është e etur për të parë ndjekjen penale të korrupsionit”, tha ai. Ky ishte dhe një mesazh i Donald Lu-së për sanksionimet që të vendos SHBA, siç është shpallja “non-grata”.
“Tërmeti” që shkaktoi Donald Lu në politikën shqiptare
Por pse e përmend papëlqyeshmërinë nga qeveria shqiptare Donald Lu. Në atë kohë, Lu me mbështetjen e SHBA bëri që tani shumë zyrtarë që deri dje konsideroheshin të paprekshëm, të shkojnë në burg apo të merren për herë të parë nën hetim nga SPAK e BHK për zullumet ku janë përfshirë. Donald Lu prishi skenarin e Ramës për kapjen e SPAK. Prokuroria Speciale dhe Byroja Kombëtare u ngritën me mbështetjen e SHBA-BE, të cilët rrëzuan Edi Ramën në vitin 2016. Në atë kohë kryeministri, miratoi në Kuvend një ligj që e bënte Ministrin e Brendshëm të drejtuar nga Saimir Tahiri kapon e SPAK dhe të BKH-së. Kjo lojë e Ramës dështoi dhe sot këto institucione janë krejtësisht të pavarura. Shumica e zullumqarëve që po japin llogari para Prokurorisë së Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit i përkasin Partisë Socialiste. Donald Lu tërboi edhe Sali Berishën. Ky i fundit, kur u shpall “non grata” nga amerikanët tha se dosjen e tij e ka përgatitur Donald Lu. “Kjo non grata është një histori e vitit 2019 dhe ma ka përmendur Edi Rama në këtë vit, duke më thënë se a e kaloj dot Atlantikun. Domethënë, ai e dinte një gjë të tillë. Mua më thonë se jam futur në listë të zezë, për konspiracion ndaj politikës së jashtme të SHBA-ve. Unë kurrë nuk e kam thënë një fjalë pas shpine për çështjen e ndarjes së Kosovës, sikurse ka bërë Blinken. Atëherë ku është konspiracioni këtu? Thonë se është marrë intensivisht me dosjen time të konspiracionit Donald Lu. Unë kam vepruar me ndërgjegjen time kombëtare, sepse ishte e turpshme të vizatoheshin kufij etnikë dhe të punoje për Serbinë e Madhe se kështu donte Rama dhe Thaçi”, tha Berisha disa kohë më parë.
Gjyqtarët e korruptuar
Ishte po Donald Lu që zbuloi edhe skemën për identifikimin e gjyqtarëve të korruptuar. Shenjat e para do të jenë vlera e orës së dorës, udhëtimet, vlera e makinës, llogaritë bankare tha ai në atë kohë. “Së pari, për gjyqtarët e korruptuar: Ma merr mendja se shumë prej jush nuk do ta identifikonin veten si gjyqtarë të korruptuar. Më lejoni t’jua them këtë në shqip, për të qenë i qartë. Prova ime për korrupsionin është e thjeshtë: nëse keni marrë ndonjëherë para ose favore në shkëmbim të një vendimi gjykate, jeni një gjyqtar i korruptuar. Edhe nëse e ke bërë këtë vetëm një herë, ke thyer ligjin dhe nuk je i përshtatshëm të shërbesh si gjyqtar. Një kriter tjetër i thjeshtë, nëse ulni kokën dhe shihni kyçin e dorës suaj dhe mbani një orë që kushton më shumë se makina ime, ka të ngjarë të jeni një gjyqtar i korruptuar. Ju nxis ta lini këtë profesion menjëherë. Mund edhe të futeni në burg së shpejti”, tha Donald Lu. Dhe kështu ka ndodhur. Vetingu ka nxjerrë gjithë këtë kohë gjyqtarë e prokurorë me probleme me pasurinë. I fundit që është marrë në hetim nga SPAK është gjyqtari Agron Zhukri.