E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Deputeti i PS Bujar Çela zbardh prapaskenat e bujshme: ‘21 janari’ krim shtetëror, vrasjet u kryen me urdhër të Berishës dhe Metës, ja si u shpëtova plumbave të Gardës në protestë, Aleks Nika u vra pas shpinës sime

Share

Rigels Seliman

Dje u shënuan plot 13 vite nga “21 Janari” i përgjakshëm, ku gjatë protestës së opozitës së majtë u vranë katër protestuesit Aleks Nika, Ziver Veizi, Hekuran Deda dhe Faik Myrtaj në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Aktualisht kjo çështje ka mbetur e pagjykuar mirë dhe fajtorët kryesorë i kanë shpëtuar drejtësisë, ndërkohë që në lidhje me këtë ngjarje ka folur edhe deputeti i Partisë Socialiste, Bujar Çela. Ky i fundit gjatë një prononcimi për gazetën “SOT” u shpreh “21 janari” është krim shtetëror dhe se vrasjet u kryen me urdhër të Berishës dhe Metës. Madje deputeti Çela tregon si u shpëtoi plumbave të Gardës në protestën e 21 janarit 2011, pasi siç zbulon ai, i ndjeri Aleks Nika u vra pas shpinës së tij. “Janari është një nder njollat e zeza të qeverisjes dhe koalicionit famëkeq të dyshesh kriminale Berisha-Meta! Ky krim shtetëror ishte i planifikuar dhe kjo kuptohet shumë qartë nga koha kur u kryen ekzekutimet politike – sepse protesta tepër paqësore kishte përfunduar dhe unë jam dëshmitar si ata dëshmorët që u ekzekutuan me duar në xhepa! Munde të isha dhe unë viktima në vend të Aleksit, i cili u vra pas kurrizit tim! Dhe në këtë krim janë po bashkë kjo dyshe sterrë! Ilir Meta asokohe u shpreh me egërsi pas krimit duke na cilësuar te gjithëve, por dhe këta dëshmorë si kokëpalare”, deklaroi Çela gjatë një reagimi për kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman.

Çela: Rihetimi i “21 janarit”, domosdoshmëri

Po ashtu, gjatë reagimit për gazetën “SOT”, deputeti i PS, Bujar Çela theksoi se mazhoranca socialiste duhet të mbajë fjalën dhe të çojë para drejtësisë urdhëruesit e vrasjeve. Sipas tij, ka ardhur koha që “21 Janari” të zbardhet, pasi siç teston ai nuk ka më lezet që çdo viti socialistë çojnë vetëm lule në vendin ku mbetët të vrarë katër protestuesit e pafajshëm. “21 janari 2011 shënon ngjarjen më dramatike të 30 viteve të fundit në Shqipëri. Shteti me gjakftohtësi ekzekutoi katër protestues paqësorë dhe djallëzisht u përpoq të fajësoj opozitën. Edhe kur për të gjithë opinionin publik u bë e qartë se kush ishin vrasësit qeveria u përpoq me të gjitha mënyrat të mos lejojë zbardhjen e ngjarjes dhe dënimin e autorëve si edhe të urdhëruesit/esve. Për rrjedhojë gjyqi për autorët e kësaj vrasjeje shtetërore ishte thjesht një farsë. Gjykoj se Policia, Prokuroria, SPAK dhe BKH s’kanë nevojë të hetojnë për “21 janarin”, por duhet t’i rivendosin ekzekutorët dhe të arrestojnë pa u menduar aspak urdhëruesit e gjakderdhjes, si Sali Berisha dhe bashkëpunëtorit të tij në shumë krime të tjera ekonomike presidentin Ilir Meta! Këtë detyrim nuk duhet ta harroj kryeministri Edi Rama, Partia Socialiste dhe i gjithë sistemi jonë i drejtësie. Mbetëm duke iu çuar lule tek vendi ku mbetën të vrarë katër qytetarë të pafajshëm dhe bërë premtime se do zbardhet dosja e “21 Janarit”, por asgjë deri tani, pasi thjeshtë kemi bërë sehir ata që i vranë me urdhrat që dhanë”, nënvizoi dje deputeti Çela gjatë një reagimi për kryeredaktorin e gazetës “SOT”, Rigels Seliman.

Çfarë ndodhi më 21 janar 2011?

E gjitha nisi pas skandalit me videon Meta-Prifti, ku flitej për koncesion dhe kjo shtyri që të organizohej një protestë kundër këtij korrupsioni siç e quante atëherë Partia Socialiste. Ishte ora 14:00, kur protestuesit përshkuan rrugën në këmbë nga sheshi “Skënderbej” deri para Kryeministrisë, pasi policia kishte ndërmarrë masat që të mos lejonte asnjë autobus më tej. Turma nisi me thirrje kundër kryeministrit të atëhershëm Sali Berisha, ndërkohë që vetëm pak minuta më vonë, filloi hedhja e gurëve dhe sendeve të forta në drejtim të forcave të rendit. Situata u tensionua pasi protestuesit tentuan të hynë në oborrin e kryeministrisë, ndërsa policia mbronte ambientin e brendshëm. Për një moment nisën të dëgjoheshin të shtëna armësh brenda territorit të kryeministrisë, dhe këto të shtëna lanë të vdekur Hekuran Dedën, Ziver Veizin, Faik Myrtajn dhe Aleks Nikajn. Ky i fundit, pas mjekimit paraprak në Spitalin Ushtarak të Tiranës, është dërguar për kurim të mëtejshëm në Turqi, ku dhe vdiq pas disa ditësh. Kryeministri Berisha doli në konferencë për shtyp, duke deklaruar se donin t’i bënin puç, ndërkohë që opozita u shpreh se shteti nëpërmjet Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit, ka vrarë katër qytetarë të pafajshëm shqiptarë dhe ka mbytur në gjak një demonstrim paqësor, që është e drejtë kushtetuese e qytetarit. Partia Socialiste akuzoi si urdhërues të vrasjeve kryeministrin dhe ministrin e Brendshëm. Por, Berisha nuk u ndal vetëm me akuzat për PS-në, ai sulmoi ashpër Prokurorinë, SHISH-in dhe Presidentin e Republikës, të cilët, sipas tij, donin ta rrëzonin me dhunë. Hetimi i parë çoi si të pandehur për ngjarjen Ndrea Prendin dhe Agim Llupon. Gjykata vlerësoi se vrasjet e Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Hekuran Dedajt kanë ndodhur nga pakujdesia dhe dënoi ish-komandantin e Gardës, Ndrea Prendi me një vit burg, si dhe gardistin Agim Llupo me 3 vite.

Te tjera

Lajme te tjera