Një përplasje e ashpër ka ndodhur mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe efektivëve të FNSH në oborrin e Kuvendit. Pasi militantët që po protestonin në Bashkinë e Tiranës iu afruan hyrjes së Kuvendit, FNSH u fut në oborrin e Kuvendit dhe këtu nisi përplasja fizike.
Deputetët demokratë pretendojnë se një efektiv i FNSH i ka nxjerrë armën Bledion Nallbatit dhe Luan Baçit. Report Tv dhe Shqiptarja.com sollën edhe videon e momentit si nisi përplasja. Sa i takon eftktivit për të cilin PD pretendon se ka nxjerrë armën, në video dallohet qartë se si dy deputetët e sulmojnë fizikisht, i heqin kapelën dhe tentojnë t’i marrin skafandrën mbrojtëse.
Instinktivisht për t’u mbrojtur, efektivi dallohet teksa vë dorën në anën e djathtë të tij dhe pikërisht për këtë moment deputetët demokratë pretendojnë se ka nxjerrë armën.
“I drejton armën dy deputetëve të Shqipërisë, Bledion Nallbatit dhe Luan Baçit. Kërcënojnë me armë deputetët e opozitës brenda ambienteve të tyre të punës”, tha Bardhi.
Por, në një video të publikuar më vonë, Policia e Shtetit hedh poshtë pretendimin e Partisë Demokratike, duke thënë se efektivi i FNSH, sipas ligjit për tubimin, nuk ka qenë i armatosur në protestë. Në videon e publikuar nga policia dallohet qartë se efektivi mban në anën e djathtë një spraj piper për t’u mbrojtur.
“Bazuar në ligjin “Për tubimet”, punonjësit e Policisë, të angazhuar për mbarëvajtjen e tubimit, asnjë punonjës policie nuk ka qene i pajisur me armë zjarri gjate tubimit, po vetëm me mjete mbrojtëse dhe me shkopinj gome. Përgënjeshtrojmë lajmin që punonjës të Policisë, në tubim, iu kanë nxjerrë tubuesve, armët e zjarrit”, deklaroi policia.
Policia thotë se do të kallëzojë deputetët që dhunuan efektivët, nga ana tjetër PD ka paralajmëruar kallëzim në SPAK.
“Ndërkohë, Policia e Shtetit do të kryejë të gjitha veprimet hetimore dhe shtetasit përgjegjës për veprimet e dhunshme ndaj punonjësve të Policisë, do të kallëzohen në Prokurori”, njoftoi Policia e Shtetit.
“Grupi Parlamentar i PD do bëjë kallëzim penal në SPAK për Kryetaren e Kuvendit, Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Drejtorin e Policisë së Tiranës, disa punonjës të paidentifikuar policie: U futën persona ta armatosur në Kuvend, kanosën me armë deputetët”, njoftoi PD.
E pikërisht, futja e FNSH në oborrin e Kuvendit nxiti një konflikt kompetencash mes Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit.
Dinamika e përplasjes
Gjithçka nisi pas përfundimit të seancës plenare, ku të përjashtuarit nuk u lejuan të futen në sallë. Më pas militantët e PD që po protestonin te Bashkia e Tiranës u zhvendosën para hyrjes së Kuvendit. Aty protestuesit i përplasën me policinë duke tentuar të hapin derën për t’u futur në Kuvend. Nga ana tjetër, FNSH u fut nga pjesa e pasme e Kuvendit, ndërkohë që brenda në oborr ishin ende deputetët e opozitës. Pas përplasjeve të ashpra, FNSH u largua nga ambientet e jashtme të Kuvendit edhe pas ndërhyrjeve të Gardës.