Rigels Seliman
Në Shqipëri debatet mbi të shkuarën komuniste vijojnë, edhe pse kanë kaluar më shumë se 30 vite nga rënia e diktaturës. Historianët vërejnë se pengesat për zbardhjen e saj, kanë ardhur më së shumti nga politika, që sipas tyre, nuk ka qenë e interesuar për shkak të kompromentimit të mjaft figurave të saj në regjimin totalitar. Debati për dosjet e ish-sigurimit të shtetit u rihap, pas një shkrese dërguar parlamentit, pak kohë më parë, nga Autoriteti për Informim mbi Dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, ku thuhej se ish-presidenti Ilir Meta figuronte në dokumentet e krijuara nga ish-sigurimi. Zoti Meta e mohoi kategorikisht një gjë të tillë, ndërsa shumica e majtë dhe opozita kanë paraqitur disa nisma ligjore në lidhje me dosjet e ish-policisë sekrete të komunizmit, duke ndezur debat të ri për një çështje të vjetër. Po sa i takon kësaj çështje kaq të nxehtë ka folur edhe ish-anëtari i Autoritetit të Informimit për Dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit, njëherësh përfaqësuesi i klasës së të Përndjekurve Politikë dhe poeti i njohur Daut Gumeni. Gjatë një interviste televizive, ai ka deklaruar se dosjet e ish-Sigurimit të Shtetit nuk hapen sepse i bie pushteti personave me poste të larta. Madje Gumeni ka zbuluar se në dosjet e ish-Sigurimit përveç politikanëve, janë dhe emra të njohur të gazetarisë, të cilët mendojnë se sollën median e lirë dhe bëjnë moral çdo natë nëpër panele. Ndërkohë poeti u pyet nëse është zhgënjyer ndonjëherë nga politika pas ’90. Ai nuk nguroi të fliste troç, duke u shprehur se sot të gjithë bëhen politikanë dhe ai që s’ia ka idenë nga politika. Madje, Gumeni theksoi se në vitet ’90 hyn në politikë, aktivistë që donin të bëheshin politikanë sepse ishin besnik të partisë, jo sepse merrnin vesh nga politika.
-Zoti Gumeni, fillimisht doja që t’ju pyesja a është e shkuara e rëndësishme për ju?
Pa të shkuarën nuk di ku je. Sepse ne nuk ecim pupthi, ne mbështesim njërën këmbë pastaj ecim. Ata që ecin pupthi ose bëjnë shfaqje për të qeshur të tjerët ose janë sakat, njeriu normal e mbështet këmbën diku, shijon të tashmen dhe planifikon edhe të ardhmen.
-E shkuara juaj nuk ka qenë shumë e bukur sepse ju keni vuajtur 23 vite në burgun e Burrelit?
Ka një gjë që më ngushëllon edhe nga e shkuara ime dhe është koha ime. E kam thënë diku në fakt këtë që e shkuara ime ngjan shumë me atë të popullit tim, saqë unë e ndjej vetën mirë sepse s’më thotë njeri që kur vuanim ne ti bëje qejf. Për mua ka një të mirë se kam qenë si të gjithë shqiptarët ata që qenë në burgje dhe ata që punonin gjithë ditën dhe merrnin shumë pak lekë në fund të ditës.
-Ishin vargjet që të bënë për të hequr një kalvar të vuajtjeve të mëdha që keni kaluar, i mban mend vargjet të cilat keni shkruar që më pas edhe të çuan drejt dënimit?
Ishte një poezi që shkrova kur isha 24 vjeç në një lokal në Tepelenë. Secili e gjënë vet mënyrën se si të mos e vras kohën dhe unë nuk kisha kohë të zbrazur atëherë. Ishte e vështirë që të gjeje edhe literaturë atje në fakt për të lexuar. Ishte një kohë në fakt që na merrnin edhe librat.
-Aty ka pasur edhe intelektual, a keni bërë ju biseda me ta?
Kishte edhe njerëz të mençur. Unë kam qenë me fat sepse pata dy prindër të thjesht dhe të gjithë i zunë në gojë për mirë dhe për mua është krenari dhe fat. Mësuesit i kemi pasur të mirë, të paktën na donin dhe na jepnin kulturë. Shumë prej tyre ishin klerik.
-Ju keni njohur edhe me Pjetur Arbnorin, apo jo?
Po. Ai ka qenë burrë i mençur edhe shkruante mirë, nuk shkruante keq. Ne ndanim edhe shkrimet tona që shkruanim me njëri-tjetrin.
-E kujton momentin e parë që ke dal?
Në momentin e parë që kam dal nga burgu, nuk kisha ngarkesa, kisha vetëm libra. Nuk e kam gjetur dot tani, por kur dola ishte një djalë roje burgu, që dukej që kishte qenë i gjallë përpara se të bëhej policë dhe ishin dy roje. Edhe tha ai drejtuesi, kontrolloje mirë atë musteqen se mos na nxjerr libra se ka libra ai. Ore do ia bëj unë fije-fije librat dhe shkrimet tha ai, më shumë për shkrimet e kishte se librat në Tiranë ishin botuar, ndonjë i vjetër që mund të ishte në gjuhë të huaj, por nuk e kontrollonin dot dhe po të donin se nuk kuptonin dot anglisht. Edhe erdhi ai, që nuk kam mundur do ta gjej dhe ta takoj dot sot. Ai hyri brenda dhe u zbeh. Kontrolloji i thash dhe hapa dy çantat. ‘Erdhi dita të lirosh dhe ti, jo shkrime të kesh, por topa dhe granata të kesh nuk të kontrollojë’. Kështu më shpëtuan shkrimet, megjithëse i kisha marrë masat dhe i kisha futur në kapaqet e fjalorëve.
-E mbani mend se kë ke takuar personin e parë kur keni dal nga burgu?
Unë do kthehesha tek motra në Myzeqe në një fermë jetonte ajo. Ishim 3 veta që u liruam në fakt, njëri ishte nga Durrësi, njëri në Vlora dhe unë ika në fermë. Shkova atje dhe motra kishte shkuar tek nëna, gjeta dy nipërit dhe asnjëri s’ më njohu, më vonë erdhi motra.
-Si e keni përjetuar momentin e parë që doli vëllimi juaj i parë me poezi?
Isha shumë i gëzuar. Shkova 20 herë tek shtëpia botuese. Kur më thanë ata të komitetit të të përndjekurve, ishte një burrë i urtë nga Dibra, tani ai është në Kanada dhe tha na sill ca shkrime se ti ke shkrime të bukura tha, si duket ai lexonte.
-Libri “Shënimet”, në fakt është një nga librat tuaj që ka ecur mirë?
Besoj se ka ecur nga titulli se s’besoj se janë mallëngjyer njerëzit me ato që kamë thënë unë. Unë kam thënë që ata që kanë vuajtur s’kanë pse e ndajnë vuajtjen e tyre me ne, sepse janë vuajtjen e tyre dhe secili ka vuajtjen e tij.
-Është e vështirë në kushte të tilla në burgje për të ruajtur dinjitetin?
Kur ke fatin të lindësh njeri pse duhet ta humbasësh atë emër. Jeta është e bukur, por ka edhe më rrebeshe me borë. Njerëzit në moshën e re që nisin të ëndërrojnë, por s’ka lumturi që zgjat.
-Sa jemi peng të së shkuarës ne si shoqëri?
Jemi shumë në fakt. Nuk është i gjithë populli që trembet nga e shkuara, janë një pjesë. Unë kam qenë tek Autoriteti i Dosjeve dhe ika se nuk isha për atë punë.
-Sipas jush, pse nuk hapen dosjet?
Dosjet nuk hapen se bie pushteti. Më mirë t’i themi gjërat troç dhe se kam thënë unë, e ka thënë një nga ata të Ministrisë së Brendshme kur vajti në Bruksel. Unë kam dëgjuar që bëhet rrëmujë në Shqipëri, do t’i hapim sot, do t’i hapim nesër. Nuk hapen dosjet se po të hapen është grusht shteti i bardhë. Po ka vite. Se kisha dëgjuar ndonjëherë të bardhin unë. Bie pushteti, tha. Se shumica e tyre që kanë zile pushteti janë me dosje. Një mënyrë që është më e lehta nga të gjitha, i thashë, nuk kanë pse lodhen të gjejnë se kush ka dosje, i bien shkurt, të gjejnë ata që nuk kanë dhe mbarojnë punë. Të gjithë kanë, jo vetëm politikanë, ka media, edhe nga ata që tundin shamitë si sjellësit e medias së lirë në Shqipëri, i ke me dosje, i ke me pseudonime. Bëjnë moral çdo natë nëpër panele për shqiptarët. Të shkretët televizorë që nuk thyen. Ku e gjejnë kurajën këta njerëz që e kanë filluar si aktivistë rinie me emër të ri dhe e kanë akoma emrin, pse nuk janë hapur dosjet. Mua më intereson politika, por si qytetarë, sepse kur është mirë vendi im, jam unë mirë. Por politika është të bësh më të mirën të mundshme.
-Jeni zhgënjyer shumë nga politika sidomos pas ‘90?
Unë kam qene gjithë jetën time viktimë e politikës, se marr dot përsipër siç bëjnë ca nga këta, që sa i fusin në lista, në intervistën e parë thonë ‘ne politikanët’. Se kush dreqin e bëri politikan atë se e futën në një listë për deputetë ose për drejtor në një sektor, prit pak tani, se do ca gjëra t’i dish që të thuash ‘jam politikan’. Ne vuajmë se kemi politikën tonë. Në ’90 hyn në politikë, aktivistë që donin të bëheshin politikanë sepse ishin besnik të partisë, jo sepse merrnin vesh nga politika.
-Ke qenë në disa poste drejtuese dhe nuk i ke mbajtur gjatë shpesh herë ke dhënë edhe dorëheqjen?
Kudo që kam qenë jam përpjekur që të bëjë diçka që të justifikojë rrogën. më mirë e dinë ata që kanë qenë dhe që kanë punuar me mua. Njeriut i dikur sikur bënë dy male bashkë kur arrin që të bëjë dy miq më shumë kur je në diplomaci. Unë kur isha në Slloveni u përpoqa. Ministra dhe zv ministra slloven, ata ishin njerëz që i shërbenin vendit të tyre dhe nuk kishte se si të mos i adhuroje .
-Si e sheh sot diplomacinë, ka evoluar?
Ne jemi vend i vogël në fakt. Kur ja thash një titullari, në këtë tavolinë bëhet politike madhe mirëpo unë e kam paguar ca kisha për të paguar dhe i thash paske rrjedhur i thash, kush të pyet ty se çfarë bëhet në botë.
-Ti ke pasur gjithmonë personalitete të dashura, Noli besoj se është një person, i cili të ka rrethuar?
Ai është gjeni i rrallë, kemi shumë talente por për mua ai është në të gjitha fushat ku u ul për të thënë diçka ka vënë vulën nuk është çështja se tha dy llafe sepse dy llafe i them edhe unë. Ai thoshte e përktheva në shqip, jo si disa që thonë e ka shqipëruar, ai ka përkthyer majat e letërsisë botërore, dhe dëshmoi se gjuha shqipe është gjuhë e madhe.
-Je në një prag të botimit të një përmbledhje tjetër me tregime?
Kam disa libra gati, kam romanin e 4 gati, të cilin ja kam dedikuar jetës.
Cili është mesazhi që i jep brezit të ri në lidhje me lirinë dhe dinjitetin?
Ky romani 3 kam një merak aty, të mos e shtrembërojnë konceptin që kemi ne përfshirë edhe brezin tim sepse ne kemi koncepte të shtrembëta për lirin dhe për të vërtetën. Po të duan të ruajnë emrin që i kanë dhënë e tyre prindërit të mos tremben armenen nga e vërteta dhe të mos kursehen për liri.