Gazetari amerikan Marc Caputo që punon për agjencinë “Axios” i ka bërë një pyetje Departamentit Amerikan të Shtetit nëse kreu i opozitës në Shqipëri, Sali Berisha mund të vizitojë Shtetet e Bashkuara.
Në një koment në rrjetin “X” ai thotë: “E pyeta Departamentin e Shtetit për statusin e vizës së Berishës dhe më thanë se ai mund të vijë në SHBA” – shkruan gazetari që publikon edhe përgjigjen e DASH.
“Ne japim rregullisht përjashtime për të lehtësuar udhëtimin e individëve të caktuar në SHBA, në përputhje me detyrimet ndërkombëtare dhe interesat tona kombëtare. Si e tillë, ne nuk do të lejojmë që interesat tona të politikës së jashtme apo marrëdhëniet me Shqipërinë të mbahen peng nga vendime të politizuara të epokës së Biden-it” – thuhet në reagimin e Departamentit Amerikan të Shtetit dërguar për gazetarin.
Ndërkohë vetë Sali Berisha tha se Partia Demokratike ka pasur kontakte të vazhdueshme me ambasadën amerikane në javët e fundit, ku është folur ekskluzivisht për zgjedhjet e 11 majit.
“Kontaktet e ambasadës me opozitën, kanë qenë non stop, dhe me temë zgjedhjet. Ka një interes absolut të tyre për një proces të rregullt zgjedhor dhe e kanë përcjellë në takim me përfaqësuesit tanë”, tha Berisha në një intervistë për A2 CNN.
I pyetur për mesazhin e fundit të publikuar nga llogaria e mbasadës në rrjetet sociale, Berisha u përgjigj: “Ka publikuar një qëndrim të zv.presidentit JD Vance, ku thotë “mos kini frikë nga vota”, siç ka Edi Rama”.