E shtunë, 7 Dhjetor, 2024

Brenda 12 sekondash u kryen të gjitha ekzekutimet në 21 janar 2011, ja si u dha ultimatumi për vrasjet, Ndrea Prendin e kanë rrahur në zyrën e Sali Berishës pasi doli kundër urdhrit , Fatos Mahmutaj që u plagos në bulevard tregon se qytetarët u qëlluan pasi kishte përfunduar protesta

Share

Gazetari Fatos Mahmutaj, i cili mbeti i plagosur në 21 janar foli për audio regjistrimin me urdhrat nga lart për të qëlluar ndaj protestuesve ku u vranë 4 persona. Ai u shpreh gjatë intervistës për emisionin “Faqja 4”, se brenda 12 sekondash janë kryer të 4 vrasjet dhe se kjo ndodhi pasi kishte përfunduar protesta. Sipas tij, Ndrea Prendi është dhunuar në zyrën e kryeministrisë pasi atij i ishte dhënë urdhër për të qëlluar ndaj protestuesve që në orën 14:00 por në fillim nuk ka pranuar. “Dera e kryeministrisë ishte e hapur 14:10 ka qenë një Mercedes i bardhë që përplasi derën dhe më pas është vërtetuar se ishte inskenim nga forcat e policisë të gardës për të krijuar dhe hapur një korridor që protestuesit të futeshin brenda. Njerëzit jo vetëm që nuk hynë por arritën deri te kangjellat, hipën mbi kangjella dhe dogjën dy objekte të djegshme, gjethet e thara të palmave, asnjë njeri nuk pati interes që të futej. Përplasja e fundit midis protestuesve dhe organeve të policisë ka filluar rreth 16 pa 2 minuta. Protestuesit i sulmuan policët. Policët u kundërpërgjigjën duke sulmuar protestuesit ndërkohë një pjesë protestuesish qëlluan me pllaka mermeri duke u shpartalluar çdo lloj mbrojtjeje e policisë. Nuk ka zgjatur as dy minuta ishin pozicionuar furgonat gjysmë të blinduar të forcave speciale. Kur dogjën dhe furgonat, protesta mori fund. Njerëzit po ktheheshin dhe në ato momente pati të shtënat, isha duke i transmetuar live, korrespondon me urdhrin për të qëlluar mbi njerëzit. Pasi të gjithë gardistët kanë qëlluar në të njëjtin moment, kush në ajër, kush poshtë. Brenda 10-12 sekondash janë bërë të gjitha vrasjet në të njëjtin moment.”, u shpreh gazetari.

Ndrea Prendi u dhunua

Mahmutaj kujtoi edhe momentin që është qëlluar ndaj tij. Ai tha se Ndrea Prendit i është dhënë urdhër që të qëllojë që në orën 14:00, kur protestuesit u përplasën me policinë, por ai nuk ka pranuar, dhe për këtë është dhunuar në zyrën e kryeministrit. “Nuk është cenuar kryeministria, qëlluan si burracakë kur po shpërndaheshin. Nuk ka asnjë njeri me pamje nga kryeministri, njerëzit ishin duke ikur. Po qëllohej me kallashnikov në ajër. Në plagosjen time, tre 4 plumba të tjerë kanë goditur trungun e pemës prapa meje. Dhe më pas plumbat kanë shkuar deri në xhamat përballë. Ndrea Prendit është tentuar t’i jepet urdhër që në 14:00. Kur protestuesit po ushtronin dhunë ndaj policisë, i është kërkuar të qëllojë dhe nuk ka pranuar. Kur është thirrur në zyrën e kryeministrit i është marrë arma, disa herë i është thënë që të qëllojë duke filluar nga ora 14:00. Nuk iu është bindur urdhrit, e kanë qëlluar me grusht në sy. Asnjë protestues nuk e ka qëlluar. Garda nuk është qëlluar në asnjë moment. Ndrea Prendin e kanë rrahur në zyrë për të zbatuar urdhrin. Në dhunë e sipër, jep urdhër dhe i përgjigjen gardistët po po do të gjakosin” , u shpreh gazetari. I pyetur nëse do të vihet drejtësia për këtë çështje, ai u shpreh skeptik. “Të paktën gjatë kohës si gazetar, kam qenë gazetar i sistemit të drejtësisë. Kam hasur me dhjetëra dosje ku familja Berisha ka futur hundët. Janë prishur prova, manipuluar dhe asnjëra s’ka marrë drejtësinë e duhur, si ajo e Remzi Hoxhës, ajo për Rrugën e Kombit, Gërdecin etj. Kudo ku ka futur hundët, ato dosje kanë mbaruar. Dhe jam skeptik për të se pjesa më e madhe e drejtësisë kanë kaluar si sugjerime të vajzës së Berishës. Drejtësia do të ishte bërë që në 2013, ish kryeprokurorja u lincua nga kryeministri i kohës, çfarë të presësh. Provat kanë qenë, aty janë dhe do të jenë. Nuk ka vullnet për të mbaruar këtë çështje.“, tha gazetari.

Te tjera

Lajme te tjera