Deputeti i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka komentuar situatën politike në vend, ndërsa ka lëshuar akuza të forta në adresë të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe jovetëm. Në sfondin e trazirave të Shqipërisë, ngjarjet e 21 Janarit 2011 mbeten të ngulitura në kujtesën kolektive si një moment tronditës. Vdekja e Kosta Trebickës, një figurë e rëndësishme që pati guximin të fliste për rolin e Shkëlzen Berishës në aferën e “Gërdecit”, shënon një kapitull të errët të historisë sonë. Trebicka nuk ishte thjesht një zë kritik. Ai ishte një njeri që, për shkak të dëshmive të tij, u bë viktimë e një loje politike fatale. Vdekja e tij, e dyshimtë dhe misterioze, ngre pyetje të rëndësishme mbi sigurinë dhe drejtësinë në vend. A ishin ato fjalë të tij një kërcënim për pushtetin e vjetër? Për të mësuara më shumë rreth këtyre ngjarjeve të bujshme gazeta “SOT”, bisedoi me deputetin Koçi, i cili zbulon se kush është viktima e pestë e “21 Janarit” dhe flet për misterin e vdekjes së Kosta Trebickës pasi foli për rolin e Shkëlzenit në aferën e “Gërdecit”. Ndër të tjera në intervistën për gazetën “SOT”, zoti Koçi hedhë dritë mbi dosjet e errëta që rrethojnë familjen Berisha dhe përpjekjet për të fshehur të vërtetat e frikshme.
-Zoti Koçi, pas dhunës së ushtruar në Parlament nga zoti Noka, ka qenë pikërisht sërish opozita protagoniste e kësaj dhune. Këtë herë ka qenë deputetja Albana Vokshi, e cila ka dalë jashtë kontrollit duke u konfliktuar me deputetët socialistë, mes të cilëve ishit edhe ju. Nga ana tjetër, zoti Xhelal Mziu ka dhunuar deputeten Milva Ikonomi. Duket sikur demokratët kanë bërë një gërshetim dhune kundrejt jush. Zoti Koçi, pse po iu kërcënon zoti Noka, Mziu e znj. Vokshi?
Partia Demokratike është në një gjendje të dëshpëruar dhe kjo gjendje dëshpërimi, edhe në planin politik, në rrafshin elektoral, gërshetohet edhe me faktin që të gjithë këta deputet individualisht kanë synimin t’ju firmoset emri në listat për deputet.
-Pra, të gjithë këtë e bëjnë për t’i rënë në sy Berishës?
Sigurisht, i gjithë aksioni politik që po ndodh ka lidhje me prapanicën politike të Sali Berishës, me fatin e tij, por si të thuash, edhe ata që nuk e kanë fare problem fatin e tij personal, por kanë hallin e tyre të listave për deputet. Prandaj ndodhin të gjithë këto incidente të cilat vijojnë ta komprometojnë akoma më shumë këtë parti, e cila në profilin e vet, qëkur është prodhuar, ka pasur ngjarje me dhunë dhe akte fashiste herë pas here. Nuk kemi të bëjmë me një gjë fare të re për jetën, veprimtarinë dhe sjelljen e Partisë Demokratike. Mos harrojmë se kjo parti në krye ka zgjedhur një person i cili u shpall ‘non-grata’ nga Amerika. Praktikisht, ai u zgjodh për të qenë në krye të partisë pasi u shpall “non grata”. Të gjithë këta kanë marrë përsipër një përgjegjësi shumë të madhe edhe në një rrafsh ndërkombëtar në marrëdhënie me SHBA, me partnerin tonë gjeo-strategjik më të rëndësishëm dhe ndaj të cilit ne jemi mirënjohës, sidomos për atë që ka ndodhur në dekadat e fundit, ku u kurorëzua me pavarësinë e Kosovës.
–Berisha ka deklaruar se mosbindja civile do të vazhdojë deri në arritjen e qeverisë teknike. Zoti Koçi, përse nuk ia mundësoni?
Komunistët nuk bëjnë mosbindje civile. Berisha është një komunist, një revolucionar anarkist. Jemi në muajin tetor dhe revolucioni i tetorit, i famshmi i Rusisë, ata janë duke e përkujtuar me vepra.
-Me një qeveri teknike që të ulen tensionet dhe dhuna, mbi të gjitha, Berisha nuk është se nuk ka drejtuar ndonjëherë shtetin; madje, në qeverinë Berisha, Shqipëria ka hyrë në NATO. Pse nuk ia jepni mundësinë që të jetë pjesë e hyrjes së Shqipërisë në BE?
Ata duan qeveri teknike që Shqipëria të jetë pa kontroll, në një qeveri anarkike. Berisha është revolucionar anarkist dhe ky është një projekt shumë i rrezikshëm për vendin. Qeveria e ashtuquajtur teknike është një qeveri që nuk ka asnjë lloj pushteti, ku bandat si ato që tashmë guxojnë të hyjnë në Parlament, dominojnë dhe administrojnë fushatën zgjedhore, por është një gjë që nuk ka për të ndodhur. Persona të tillë si Dodik dhe Sali Berisha nuk kanë asnjë të ardhme politike.
-Çfarë mesazhi keni për Berishën? Dhunës, molotovëve, nuk i ka shpëtuar as selia rozë e PS. Si e keni konsideruar ju djegien e PS? Pse nuk ka pasur një reagim nga ju apo nga kryeministri Rama?
Ne e shikojmë gjënë në tërësinë e saj, dhe çdo gjë është e shenjtë. Kur jeta i kërcënohet një efektivi nga molotovët dhe kur shohim muret që goditen e digjen, janë gjëra të shenjta, sepse janë institucione publike; kryeministria nuk është e Ramës.
-Si është parë përdorimi i të miturve për hedhjen e molotovëve dhe djegien në hapësira publike? A është bërë një kallëzim nga ana juaj?
Ne kemi bërë kallëzimet penale, por kjo është një veprimtari jo thjesht kriminale, por është shfaqe e demonstrimit kriminal që të përdorësh fëmijët për qëllime politike. Kjo në vetvete është përdorimi i dhunës për qëllime politike. Madje, këto marrin për bazë dhe fabulën e përplasjes me Gjykatën Kushtetuese për çështjen e mandatit Xhaçka, ku thonë se PS po sulmon Gjykatën Kushtetuese.
-Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë një vendim për heqjen e mandatit të zonjës Xhaçka, dhe ju nuk e keni respektuar; nuk ka ndodhur diçka e tillë siç pretendon PD…
Kjo është një çështje komplet tjetër dhe nuk ka lidhje me konsideratat dhe kërcënimin që po i bëhet Gjykatës Kushtetuese apo Republikës. Aq më tepër bëhet zëdhënëse një partie e cila e ka luftuar me zjarr, me dhunë, miratimin e kësaj Kushtetute në vitin 1998, kur kam qenë Ministër i Rendit në atë kohë.
-Keni mbajtur ju një qëndrim ndaj veprimeve të PD në protestë, ku u pa dhuna, molotovët, dhe djegiet?
Patjetër që kemi mbajtur një qëndrim në raport me këtë shpirt kriminal të PD. Këto gjithçka po e bëjnë për interesa të një personi nga i cili varen, pasi ai do të ketë firmat për listën e kandidatëve që do të përzgjidhen për deputet. Protesta në vetvete dështoi plotësisht, pasi këta kishin menduar se do të ishte një pjesëmarrje përmbysëse, por kjo nuk ndodhi. Sa nisën aktet e dhunës, pjesa dërmuese iku dhe mbetën vetëm banditët me kryebanditët.
-Për aktet e dhunës dhe vetë Berishën ka reaguar CDU-ja gjermane, Gunther Kirchbaum, ai i cili ka thënë se dhuna është e pa tolerueshme në një shtet që do të bëhet pjesë e BE, dhe ndërsa për Berishën tha se duhet të ishte në burg e jo të rehatohej në shtëpi. Demokratët i kanë cilësuar deklaratat e Krichbaum si akuza personale. Ju si i cilësoni mesazhet e zotit Krichbaum dhe a duhet të ishte Berisha në burg?
Këta që shpallin Berishën ‘non-grata’ e konsiderojnë si personale; jo, e ka bërë Blinken, Sorosi, e jo, do fillojmë një proces gjyqësor. Këto janë justifikime me natyrë fëmijërore që mund t’i gëlltis vetëm ndonjë që është i paditur.
-A duhet të ishte Berisha në burg, siç ka kërkuar Krichbaum?
Nuk e di; këtë e përcakton drejtësia. Në gjykimin tim, duke ditur të gjithë karrierën politike anti-shtetërore, anti-kushtetuese dhe anti-kombëtare të Sali Berishës, ai meriton të hetohet për diçka më të madhe se territori i ish-klubit “Partizani” dhe shfrytëzimi i territorit për të fituar miliona euro familja e tij. Në këtë pjesë, Sali Berishën e kanë marrë më qafë fëmijët e tij; etja për pasuri me miliona euro e bëri edhe Berishën që u përdor.
-Për çfarë çështjesh më të mëdha se ajo e klubit “Partizanit” e keni fjalën?
Është shumë më i korruptuar se ç’ka dalë deri tani në SPAK dhe me siguri do të ketë edhe shumë çështje të tjera. Është çështja e ‘21 Janarit’, ‘Gërdeci’, dhe shumë afera të tjera si ajo e naftës, e pse jo dhe kontrabanda me Millosheviçin.
-Në një nga analizat tuaja, e keni konsideruar Kosta Trebickën si viktimën e 27-të të Gërdecit. Biznesmeni i njohur, i cili u përfshi në biznesin e fishekëve, në fabrikën e vdekjes, dhe më pas filloi të fliste se edhe Shkëlzen Berisha ishte i përfshirë në këtë aferë. Trebicka më pas humbi jetën gjatë një aksidenti që dikush do ta quante si vrasje dhe jo si aksident. Kush e vrau Kosta Trebickën, Shkëlzeni apo Berisha?
Vrasja ose vdekja e një dëshmitari të tillë është padyshim një gjë me shumë mistere brenda dhe që ka lidhje me ngjarjen e Gërdecit. Jo me shpërthimin, pasi shpërthimi në vetvete ka qenë aksidental, ndërsa afera nuk ka qenë aksidentale. Ka qenë afera e një krimi të organizuar, ku përtej ministrit Mediu, që për mua ka më shumë përgjegjësi që duhet të dëshmoj ndaj atyre që ishin në krye dhe komandonin aferën. Unë besoj se këtu është familja Berisha brenda. Ngarkon me përgjegjësi vetë ish-kryeministrin Sali Berisha. Edhe për ‘21 Janarin’ nuk janë katër viktima, por janë pesë. Është edhe djali i Faik Myrtajt, i cili kaloi në depresion shumë të rëndë nga vrasja e të atit. Ndërkohë, audio regjistrimet që tashmë një pjesë janë bërë publike, dëshmojnë qartazi pak a shumë atë që të gjithë shqiptarët, dhe ata që e duan Berishën, e dinë se aty brenda Kryeministrisë është faji i urdhër-dhënies për të qëlluar në mish mbi demonstruesit.
-Brenda Kryeministrisë u fshi serveri…
Aty brenda nuk ishin të gjithë Kosta Trebicka. Pra, nuk do të arrijnë t’i vrasin të gjithë, por janë dëshmitarë të cilët në raport me mundësitë që ka për t’u zbuluar, janë të panumërt. Kur mjafton vetëm një apo dy dëshmitarë që të tregojnë tashmë të vërtetën, duke filluar nga njerëzit e thjeshtë, sanitarët, e kush kanë qenë aty brenda, pasi ata dinë shumë gjëra. Prokuroria jonë do të duhet t’i gjejë, se çfarë ka ndodhur dhe kush ka qenë brenda korridoreve dhe zyrave të Kryeministrisë. Fshirja e serverave është krim më vete, siç është dhe deklarimi i zotit Berisha më pas, duke identifikuar mjetet e përdorura si ëndrra, pushkë, stilolapsa, etj.
-Pavarësisht se serverat mund të jenë fshirë brenda Kryeministrisë, a ka gjasa që këto servera të jenë ruajtur diku?
Këtë nuk e di; mua më mjafton analiza e fakteve që lexohen dhe duken, ngjarjet publike. Për të lexuar këtë teatrin që bën PD, nuk ka nevojë të jesh brenda mbledhjeve që bën PD, dhe pse lexohet nga produkti. E gjitha ajo është veprimtari e organizuar, por është edhe veprimtari kriminale. Ideja e qeverisë teknike është ta bëjmë si në ’97, me përdorim të armëve, sepse ata janë mjeshtër të luftës civile, sepse ata duan vëllavrasje civile, sepse është e vetmja mënyrë që thonë që të dalë diçka e të shpëtojmë pa u lagur.
-Për të shpëtuar Sali Berishën?
Aty nuk është vetëm Berisha, por të gjithë ata te Gjiri i Lalëzit. Janë me dhjetëra apartamente që i kanë familjet e këtyre.
Intervistoi: Rigels Seliman