Ndonëse doli i lirë nga masat e sigurisë, Sali Berisha vijon t’i bëjë takimet online. Në ditën e Pavarësisë, ai vendosi të zhvillojë një bisedë online me demokratët në Greqi.
Në fjalën e tij, Berisha tha se Shqipëria sot ndodhet në një regjim të ri diktatorial dhe feston Ditën e Pavarësisë, me instalimin e një diktature të dytë 32 vite pasi u përmbys e para.
Sipas tij, në dallim nga diktatura komuniste, diktatura e sotme nuk është një diktaturë ideologjike, është një diktaturë, e cila bazohet në aleancën me krimin, drogën dhe vjedhjen e fondeve dhe pasurive publike të shqiptarëve.
“Është një diktaturë që bazohet në përqendrimin e të gjitha pushteteve në duart e një njeriu. Është një diktaturë që bazohet në rikthimin në Shqipëri të arrestimit dhe burgjeve të kundërshtarëve politikë. Në shndërrimin e proceseve zgjedhore në një farsë zgjedhore. Në kontrollin e plotë të ekonomisë, medies dhe shoqërisë. Pra, është një diktaturë që bazohet në shkelmimin e ligjeve, Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
Kjo formë diktaturë, e panjohur ndonjëherë në Europë, por e njohur rëndom në Amerikën Latine dhe në vende të tjera të Afrikës, është forma e diktaturës që nuk zbaton asnjë rregull, asnjë ligj, ndaj studiuesit e kanë cilësuar si formën më të keqe të diktaturave.
Por, si çdo diktaturë, edhe kjo diktaturë nuk mund të ketë jetën e gjatë.
Ndaj dhe ne jemi në këmbë për t’u përballur me këtë diktaturë.
Thashë dhe njëherë, nuk njeh ligje, Kushtetuta, rregulla dhe parime, njeh vetëm interesa mafioze të padrinos apo të kryeministrit që kontrollon çdo pushtet në Shqipëri”, tha ai.