Ish-kryeministri Sali Berisha ka akuzuar dje kreun e qeverisë Edi Rama për kapjen e drejtësisë dhe krijimin e narkoshtetit, por këto akuza i ka çuar më tej duke përfshirë edhe Lulzim Bashën në to.
Sipas Berishës, Basha ia lehtësoi Edi Ramës operacionin makabër me pasoja jetike për shqiptarët.
Berisha tha se pavarësisht varfërisë, ajo që i vret më shumë shqiptarët sot është rrëmbimi i votës dhe padrejtësia.
“Por nuk mund të mohohet se drejtimi juaj, se ai që sot kyçet në pazare të përnatshme me Edi Ramën, dënoi PD-në me qëndrime që ajo kurrë nuk do mund t’i merrte. Me qëndrimet, të cilat e lehtësuan Edi Ramën në operacionin e tij makabër të zëvendësimit të shtetit ligjor me narkoshtetin.
Operacione të cilat zhdukën besimin e shqiptarëve se Shqipëria mund të bëhet”, ka thënë Berisha në akuzat e tij ndaj Bashës.
Ish-kryeministri tha se është detyrë e çdo demokrati të shumëfishojë përpjekjet për t’i rikthyer shqiptarëve të drejtën e votës së lirë.
“Ne kemi përpara njeriun më të diskriminuar. Kemi përpara kryeministrin më të korruptuar të Europës. Kemi përpara kreun e organizatës më të shëmtuar kriminale. Kemi përpara ortakun e McGonigalit, ortakun e Pëllumb Gjokës, ortakun e Behar Bajrit. Ndaj dhe ftoj shqiptarët, ftoj demokratët kudo që janë të ngrihen, të bashkohen me ju në këtë betejë vendimtarë për fatin e Shqipërisë, rivendosjen e pluralizmit, rivendosjen e dinjitetit njerëzor, rivendosjen e interesit kombëtar, e shpresës dhe besimit, fitores së Shqipërisë dhe shqiptarëve”, ka përfunduar Berisha fjalën e tij.