Pas humbjes së thellë, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha nuk njeh zgjedhjet e 11 majit. Një ditë më parë, kreu i PD kishte lënë të nënkuptuar se nuk do ta njihte këtë proces, por sot e tha drejtpërdrejtë se nuk “ne nuk bëhet fjalë kurrë që të pajtohemi me këto zgjedhje.”
Përballë gazetarëve, Sali Berisha hodhi akuza se zgjedhjet e 11 majit u diktuan nga krimi dhe se janë zgjedhjet më grabitura, plaçkitura dhe dhunuara në gjithë historinë.
“Zgjedhjet e 11 Majit u diktuan që të gjitha nga krimi. Bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të Shqipërisë, në 20 bashki të vendit dhe ato patronuan 30 deputetë të mazhorancës kriminale. ”, tha Berisha.
Sic ka ndodhur rëndom në historinë e PD, mospranimi i rezultatit humbës shoqërohet po ashtu me paralajmërime për protesta.
“Libri i zi i këtyre zgjedhjeve shkruhet me datën 16 në ora 17:00 në Bulevardin e Parë për të sensibilizuar opinionin publik botëror mbi krimet monstruoze të përbindëshit elektoral Edi Rama, që nuk respekton asnjë rregull, asnjë ligj kombëtar dhe ndërkombëtar për zgjedhjet.”, tha Berisha.
Data nuk është një ditë e zakonshme. Më 16 Maj, në Tiranë do të organizohet samiti i komuniteti politik europian. Udhëheqësit e 47 vendeve do të mblidhen për të diskutuar në një strukturë të posaçme, të ngritur për këtë aktivitet në lulishten pas monumentit të Skendërbeut.
Në dhjetor të vitit 2022, Berisha zgjodhi të zhvillojë protestë pikërisht në ditën kur në kryeqytet mbahej samiti BE-Ballkani Perëndimor. Në atë kohë ai e organizoi atë ngjitur me perimetrin e sigurisë së samitit. Këtë herë ka zgjedhur ta bëjë disa qindra metra më tutje.
Rikthimin pas 12 vitesh në pushtet, me non gratën mbi supe, Berisha nuk e mori, por po sot konfirmoi po ashtu se nuk ka ndërmend të largohet nga drejtimi i Partisë. Ndonëse ka qenë ai vetë që ka përfshirë në statut, në kohën e Rithemelimit, nenin që e bën automatik largimin e kryetarit të partisë në rast të humbjes së zgjedhjeve parlamentare.
Pika 8 e nenit 46 të statutit të Partisë Demokratike e ka të sanksionuar qartë se në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve të përgjithshme për Kuvendin, partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për kryetarin. Në këtë rast, kryetarit që i përfundon mandati, nuk i lejohet kandidimi në zgjedhjet pasardhëse për kryetar partie. Nëse do të merret i mirëqenë statuti i PD-së, në fund të numërimit të plotë të votave, Sali Berisha do të ishte automatikisht i shkarkuar nga kreu i partisë.
Pika 8 e nenit 46 të statutit të Partisë Demokratike
“PD ka statutin dhe do i përmbahet asaj, por ka disa parime eprore dhe këto parime është vota e lirë e shqiptarëve. Kjo parti vazhdon betejën për votën e lirë të shqiptarëve. Këtë betejë, gjer në fitore ai që e nisi dhe do ta bitisë…”, tha Berisha.
Berisha dha edhe pretendimet e tij se përse nuk njeh zgjedhjet, duke thënë se bandat kriminale të qeverisë ishin aktive në 10 qarqe të Shqipërisë, në 20 bashki të vendit. Sipas Berishës, votat u blenë me zarfe 100 euro, ndërsa u ndal edhe tek VKM e miratuar nga Këshilli i Ministrave për procedurat për që do të ndjekin institucionet përkatëse për ligjin për faljen e gjobave. Berisha tha se Rama përdori amnistinë 200 mln euro për faljen e gjobave, ndërsa një ditë më parë pwr këtë shifër tha se ishte 150 mln euro.
