E enjte, 13 Shkurt, 2025

Begaj dekretoi ligjin për Komisionet Hetimore, reagon Rama: Ka mbaruar koha kur Presidenti përdorte Kushtetutën si koktej molotov për revolucionet imagjinare të opozitës

Share

Kryeministri Edi Rama ka reaguar dje pasi presidenti Bajram Begaj ka dekretuar ndryshimet në ligjin për komisionet hetimore Parlamentare, duke refuzuar thirrjen e opozitës për ta kthyer mbrapsht në parlament. Në një reagim në platformën X, Rama shkruan se ka mbaruar koha politike kur Presidenti i Republikës “bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov”, duke iu referuar kohës kur në krye të shtetit ishte Ilir Meta. “Koha politike kur Presidenti i Republikës bashkëudhëhiqte revolucionet imagjinare kundër qeverisë e në dëm të Shqipërisë, duke e përdorur Kushtetutën si koktej Molotov ka perënduar me kohë, siç do të mbaroje po njësoj, më shpejt se sa vonë, edhe ora e keqkuptimit të madh të politikës së ditës, mes punës mendore të parlamentarëve dhe aktivitetit fizik të tyre në sallën e Kuvendit të Shqipërisë”, shkroi Rama. Ndërkohë në reagimin që vjen pas akuzave të njëpasnjëshme nga ana e deputetëve të opozitës ndaj Presidentit Begaj, Rama ka theksuar se do përfundojë shumë shpejt edhe kjo situatë e pazakontë parlamentare, duke iu referuar dhe kaosit të Rithemelimit. Kreu i qeverisë nënvizon se ky vit do jetë ai i ndryshimeve të mëdha pozitive, pas një sërë arritjesh në 2023-in. “”Shqipëria është në një kohë tjetër dhe ky vit është kyç për rritjen e mëtejshme të pagave, investimeve publike e atyre private, të brendshme a të huaja, turizmit që në 2023 arriti rekordin fantastik të 10 milionë vizitorëve nga jashtë, e me radhë, prandaj ky vend s’ka asnjë sekondë për të humbur me askënd që vazhdon me orën e vjetër, duke kërkuar nëpër rrugicat e ngushta të Kuvendit a të zonës rreth tij, rikthimin e kohës së vdekur”, nënvizoi Rama.

Te tjera

Lajme te tjera