Rigels Seliman
Ish-presidenti Ilir Meta është arrestuar dje me urdhër të Prokurorisë së Posaçme (SPAK), ish-kreu i AKEP Pirro Xhixho për shkak te moshës është lënë në “arrest shtëpie”, ndërsa deputetja Monika Kryemadhi është lënë në masën “detyrim paraqitje”. Por nuk është e vetmja që është lënë në këtë masë sigurie. Nga ana e Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, “detyrim paraqitje” është caktuar edhe për Ema Çokun. Kjo e fundit, edhe pse nuk është e njohur për publikun, raportohet se është një mikeshë e ngushtë e Monika Kryemadhit. Deri tani është zbuluar se ajo akuzohet për veprën penale: pastrim të produkteve të veprës penale të kryer në bashkëpunim. Kërkesën në GJKKO për burgosje të Metës e detyrim paraqitje për Monika Kryemadhin SPAK e ka bazuar në 6 episode, për të cilat thotë se ka të vërtetuar me prova akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe fshehjes së pasurisë për çiftin Meta-Kryemadhi.
Zbardhen detaje nga dosja e SPAK për Metën dhe Kryemadhin
SPAK thotë se përmes nënës së Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, çifti ka blerë një dublex (me dy kate) në zonën e ish-Bllokut ku vetëm kati i parë ka kushtuar 310 mijë euro cash dhe 335 mijë euro janë paguar me kredi. “Për periudhën 2009-2010, nga ana e personave nën hetim, I. M., M. K. dhe F. K., është blerë, një apartament dublex me vendndodhje në zonën e njohur si “ish bllok”, i deklaruar si i financuar me kredi bankare. Nga hetimi ka rezultuar se shuma prej 310,000 Euro që kanë shërbyer për blerjen e katit të parë të dublex, janë derdhur Cash në sistemin bankar nga F. K., dhe shuma 335,000 Euro e marrë kredi nga F. K., është shlyer gjithashtu me para të depozituara në bankë të nivelit të dytë në Republikën e Shqipërisë, në Mars-Nëntor 2010. Këto para dyshohet se kanë origjinën nga aktiviteti i paligjshëm i shtetasve I.M. dhe M.K. si dhe kredia bankare është përdorur si mbulesë dhe mënyrë për të futur në sistemin bankar shuma të konsiderueshme monetare”, njoftoi dje SPAK.
Meta nuk deklaroi 463 mijë dollarë
Në njoftimin e SPAK-ut sqarohet gjithashtu se një nga akuzat që rëndon ndaj Ilir Metës është mosdeklarimi i pasurisë, edhe për çështjen e lobimit në SHBA, ku përfitoi 463 mijë dollarë. Në vitet 2016-2017, Ilir Meta, si kryetar i LSI-së, lidhi kontrata lobimi me 2 kompani amerikane dhe 463 mijë dollarë nuk i deklaroi, para të cilat nuk janë transferuar përmes llogarisë bankare të LSI-së dhe të papasqyruara në bilancet e depozituara në KQZ. “-Përgjatë periudhës 2016-2017, Ilir Meta me cilësinë e Kryetarit të Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, ka lidhur dhe ekzekutuar kontrata për shërbimi konsulence dhe lobimi me kompanitë Global Security and Inovative Solution LLC dhe Grupi McKeon Inc në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nga hetimi rezulton se një pjesë e financimit të kontratave është bërë me transferta bankare nga llogaritë e subjektit politik, Lëvizja Socialiste për Integrim, ndërkohë që shuma prej 463.546,26 USD nuk është transferuar nga llogaritë bankare të këtij subjekti politik. Po kështu rezulton se kjo shumë monetare, e cila nuk është transferuar nga llogaritë bankare të forcës politike nuk është pasqyruar në bilancet e subjektit politik Lëvizja Socialiste për Integrim, të depozituara pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Operacionet plastike
Një rast tjetër është ai i shërbimeve estetike apo shëndetësore në disa klinika private, shpenzimet e të cilave, në shuma të konsiderueshme parash nuk janë deklaruar ose janë paguar cash. “Nga hetimi ka rezultuar se shtetasit I.M. dhe M.K. nuk kanë deklaruar shpenzimet mjekësore të kryera gjatë periudhës 2013-2019, në vlerën totale prej 106.125 Euro. Nga këto shpenzime, 86.891 Euro janë paguar në cash. Hetimet kanë zbuluar se në deklaratën e Interesave Private Vjetore për vitin 2019, të dorëzuar në ILDKPKI më 29 Maj 2020, këta subjekte nuk kanë deklaruar shpenzimet shëndetësore në vlerën prej 9.000 Euro të kryera në një klinikë private jashtë vendit si dhe dhe shumën 100.000 Euro në llogarinë bankare dy emërore, të cilat i përkasin E.M. dhe F. K. Subjektet I.M. dhe M. K. dyshohet se kanë konsumuar veprën penale “Refuzimit për deklarim, mosdeklarimi, fshehja dhe deklarimi i rremë i pasurive, interesave private të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë” parashikuar nga neni 275/a të Kodit Penal”, thotë SPAK.
Skandali me fibrat optike
Në një nga rastet e hetuar për korrupsion nga SPAK, del se Meta dhe Kryemadhi në 2014 kanë përdorur influencën e tyre për të ndikuar tek drejtuesi i AKEP, ( i cili ishte zgjedhur me propozimin e LSI), për të finalizuar një marrëveshje mes një kompanie private dhe një kompanie celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike. Më pas me arritjen e kësaj marrëveshje, Kryemadhi dhe Meta kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Më pas shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive. “Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi I. M. në sajë të funksionit të tij si Kryetar i Kuvendit dhe bashkëshortja e tij, M. K. si deputete e Kuvendit, në vitin 2014 kanë përdorur influencën e tyre duke ndikuar tek drejtuesit e institucioneve të ndryshme shtetërore si dhe tek drejtuesit e kompanive të telefonive celulare, me qëllim futjen në tregun e fibrave optike si dhe lidhjen e marrëveshjes së interkonjeksionit midis kompanisë “U… C… INC” dhe një kompanie private telefonike celulare. Si rezultat i kësaj influence të paligjshme subjektet në hetim I.M dhe M.K. kanë përfituar pjesën e tyre në përqindje nga fitimi i kompanisë, dhe janë pajisur me karta krediti nga administratori i shoqërisë. Shpenzimet e kryera nëpërmjet këtyre kartave, nuk janë deklaruar në deklaratat periodike të pasurive nga të hetuarit. Personi nën hetim P. Xh., duke shfrytëzuar autoritetin e tij si Kryetari i AKEP, i zgjedhur nga Kuvendi i Shqipërisë me propozimin e subjektit politik “Lëvizja Socialiste Për Integrim” (LSI), në zbatimi të porosive të marra nga subjektet I. M. dhe M. K., jo vetëm ka ndikuar tek drejtuesit e kompanisë telefonike celulare për finalizmin e marrëveshjes por nga ana tjetër, ka lejuar kompaninë private të ushtrojë aktivitetin e saj në shkelje të ligjit të AKEP. Për këto arsye, personat nën hetim I.M. dhe M.K. ka dyshime se kanë konsumuar veprën penale të “Korrupsionit pasiv të zyrtarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve”, në bashkëpunim, të ndihmuar edhe nga personi tjetër nën hetim P. Xh., i cili akuzohet për të njëjtën vepër penale”, thuhet në njoftimin e SPAK.
Përfitimet kur ishte Ministër ekonomie
Sipas Prokurorisë së Posaçme, Meta, në cilësinë e ministritë të Ekonomisë ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Në njoftim thuhet se se Meta, Kryemadhi dhe funksionarët publikë kanë ndikuar drejtpërdrejt në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it. Gjithashtu, theksohet se kreu i PL-së ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga Kastriot Ismailaj, ish-administratori i kompanisë DIA, gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit. “Është provuar se ish-Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, I. M., ka përdorur autoritetin dhe influencën e tij për të ndërhyrë në procesin e lidhjes së kontratës ndërmjet shoqërisë “Debt International Advisory” dhe kompanisë CEZ Shpërndarje. Kjo kontratë kishte për objekt asistimin në identifikimin dhe arkëtimin e borxheve të prapambetura. Këto marrëdhënie ngushtësisht të ndërlidhura kanë ndikuar drejtpërdrejtë në procesin e përzgjedhjes së DIA-s për të kryer shërbimet e mbledhjes së borxheve të CEZ-it, pavarësisht se shoqëria nuk përmbushte të gjitha kriteret ligjore dhe profesionale për të menaxhuar detyrime të kësaj natyre. Shoqëria “Debt International Advisory”, përmes kësaj marrëveshjeje ka përfituar në mënyrë të parregullt shumën prej 649,803,520 lekësh, e cila është konfirmuar nga një vendim gjyqësor i formës së prerë. Hetimet e deritanishme kanë zbuluar se I.M. ka kërkuar dhe pranuar shuma të konsiderueshme parash nga z. K. I., gjatë periudhës kur ai mbante funksionin e Ministrit, detyrë e cila përfshinte mbikëqyrjen e procesit të privatizimit të CEZ-it dhe lidhjen e kontratave për mbledhjen e borxheve, duke konsumuar kështu elementët e veprës penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë”, parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal”, thuhet në njoftimin e SPAK-ut.