Kryeministri Edi Rama komentoi arrestimin e kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj, një ditë më parë për akuzën e e korrupsionit pasiv në 9 raste dhe pastrim parash.
Sot (11 shkurt) në rubrikën ‘Sy m’sy’ Rama tha se opozita u ekzaltua ndërsa lajmëroi se pas 5 vitesh heshtje do të flasë për drejtësinë e re dhe SPAK.
“Bufi i kënetës dhe mangallët e partiçkave u ekzaltuan. Marrja nga puna në zyrë për ta mbyllur pa gjyq në qeli, duke lënë një kryeqytet të tërë pa kokën që i kanë vënë mbi shpatulla është një ngjarje tejet e madhe që nuk mund ta kalojë me formulën 5 vjeçare s’kam koment. Nuk do i mbaj më për vete komentet e mia. Kur do ta shoh të arsyeshme do e ndaj me publikun. S’kam asnjë pendesë për heshtjen, por kjo heshtje është keqkuptuar”
Rama tha se u intimiduan dëshmitarë, njerëz të artit dhe kulturës dhe se hetimet nisën nga një novelë anonime, që më pas u kthye në një roman me 400 faqe nga autorët e veshur me pushtetin e drejtësisë. Shumë shpejt do të ketë një koment lidhur dhe me këtë aktakuzë.
“Rastin e Erionit e kam ndjekur për një sërë arsyesh që do të duhen kohë për të shpjeguar. Ajo që më ka shqetësuar shumë seriozisht e më ka nxitur të bëhem i vëmendshëm ka qenë intimidimi, intimidimi i disa personave të marrë në pyetje.
Njerëz të artit e kulturës që u gjendën krejt pafajësisht në situata të denja vetëm për letërsinë e Franc Kafkës.
Ne nuk do të ngutemi. Do të mundohemi të krijojmë opinion të konsoliduar për të cilën gjykatësi ka firmosur t’ia heqë kokën nga shpatullat bashkisë së Tiranë. Duke e lënë pa drejtim një kryqytet me 1 mijë e 1 punë në ditë pa gjyq. Këtu bëhet fjalë për një proces hetimor të çuditshëm. I nisur nga një novelë anonime, që ka pjellë një roman me 400 faqe ku autorët e veshur me pushtetin e drejtësisë kanë arritur në pikën që dhe një nënë të një fëmije 6 vjeç ta dënojnë me arrest shtëpie pasi babain e kanë çuar në paraburgim. Pyetja që lind është e thjeshtë: Kush do e çojë dhe marrë këtë fëmijë në shkollë.” tha Rama.
Rama thotë se Shqipëria ka vite që lufton korrupsionin, falë qeverisjes së tij dhe maxhorancës socialiste që drejton e do të vijojë të mbështesë drejtësinë e re për të luftuar korrupsionin majtas e djathtas por se nuk mund të ketë arrestime pa gjyq dhe të cënohet prezumimi i pafajësisë.
“Lufta kundër korrupsionit do vazhdojë majtas e djathtas por ama kundër korrupsionit dhe prezumimi i pafajësisë nuk mund të jetë në fund. Që pasi e shqyen dikë dhe e merr nga detyra pa gjyq dhe e mbyll brenda. E jo nga një detyrë dosido por drejtimi I kryeqytetit. Shkruan aty prezumohet I pafajshëm. Këto janë gjëra të tepërta. Megjithatë do i shohim me maturi dhe qetësi.”
…Në Shqipëri ka disa vite një luftë kundër korrupsionit, nga ana e qeverisë me reformat e veta modernizuese, transformimin e shërbimeve, nga ato të korruptuara në shërbime të modernizuara.
Rama thotë se nuk ka për ta dhënë dorëheqjen, ndërsa thekson se vetëm dy janë rrugët që mund ta largojnë nga politika.
“Jo o Ermal, dorëheqjen do e harrosh, ma keni kërkuar qysh kur kam hyrë në politikë. Për të më larguar mua nga politika ka vetëm dy rrugë, ose më largon zemra nëse nuk më rreh mjaftueshmërisht që të më zgjojë të parin në mëngjes dhe të mos më lërë të fle, dhe aty them stop, ose më largon populli i Shqipërisë”