Rigels Seliman
Argita Malltezi, vajza e Sali Berishës ka thyer dje heshtjen, ndërsa ka folur për herë të parë lidhur me arrestimin e bashkëshortit të saj, Jamarbër Malltezin më 21 tetor në aeroportin e Rinasit sa i takon aferës së privatizimit të ish-kompleksit “Partizani” dhe jovetëm. Teksa ishte e ftuar në një studio televizive, zonja Malltezi zbuloi bisedën e fundit me bashkëshortin, i cili e në telefon i tha se po e arrestonin. Po ashtu, ajo tregoi se i pasi mori vesh se burri i saj ishte prangosur, telefonoi vëllain e saj, Shkëlzen Berishën, “Nuk arrita të takohesha. I gjithë momenti, kronometrimi i veprimit ishte i mirëmenduar. Zbrita nga avioni fola me të e më tha po më arrestojnë. Në fillim më shkoi mendja tek pushteti policor i Edi Ramës. Më skandalizoi manipulimi i tmerrshëm i drejtësisë. Vëllanë mora të parin në telefon, sepse nuk doja të shqetësoja prindërit. E prisja që Edi Rama mund të bënte çdo gjë, por atë moment nuk e prisja. Shpirtërisht jam e ngarkuar, por jam e qetë sepse sot bëj një betejë për të drejtën. Kjo është jeta, këto janë sfidat. I njoftova fëmijët dhe u përpoqa të jenë të përmbajtur”, deklaroi Argita Malltezi, vajza e Sali Berishës e ftuar në “Top Story” në Top Channel.
Afera “Partizani”
Ndërkohë bashkëshortja e Jamarbër Malletzit, njëherësh vajza e Sali Berishës, Argita, ka tentuar të nxjerrë të larë burrin dhe babanë e saj. Argita Malltezi akuzoi drejtësinë se po bën padrejtësi ndaj familjes së tyre, duke ecur në një linjë me babanë dhe vëllanë. Sipas saj, SPAK dhe GJKKO janë kamxhik në duart e Edi Ramës. Madje ajo theksoi se SPAK u bë altropolant i sulmeve politike dhe gënjeshtrave të Edi Ramës dhe Taulant Ballës. “Për pritshmëritë e SPAK-ut shikohet materia dhe përmbajtja. Por po them diçka, bënë 3 vjet hetime. Po në cilin dimension dhe në cilin planet mund të ndodhë që në 3 vite të pyeten bashkëortakë të Jamarbërit, personat pjesë e administratës, të mos lihet asnjë pa pyetur gjatë hetimeve përveç dy personave që janë objekti kryesor i hetimeve, Jamarbër Malltezi dhe Sali Berisha. Si mund të shkojë dosja në gjykatë pa pyetur Malltezin dhe Berishën. Sepse kur të dilte dosja, nuk duhej të mos bëhej publike deklarata e tyre. S’kanë dashur që deklarimi i Berishës dhe Malltezit të jetë në dosje dhe të dalë në media. Pse? Sepse ky është një sulm politik i hartuar nga Edi Rama dhe SPAK dhe GJKKO janë kamzhik në duart e Edi Ramës. Kjo gjykatëse ka marrë një dosje dhe ka vendosur masën e kufizimit të lirisë pa dëgjuar asnjë argument të mbrojtjes dhe personave. Ndoshta këta ishin gabim por duhet të ishin dëgjuar. Është hera e parë në 30 vjet që shkelet Kushtetuta dhe kufizohet liria e një deputeti”, u shpreh ajo.
Hetimet e SPAK
Po ashtu, zonja Malltezi tentoi të tregonte, si juriste në profesion, se ka lajthitje në hetimin për kompleksin “Partizani”. Sipas Malltezit, nuk ka asnjë shkelje me këtë çështje, por burri i saj është arrestuar politikisht. “Është rrëshqitje e rëndë e shtetit të së drejtës, për të gjithë sistemin që mban në këmbë shtetin shqiptar. Sot unë u jam mirënjohëse që më keni ftuar, e di shumë mirë se çfarë vlere ka vala dhe hapësira kohore televizive. Të jesh i vërtetë në atë që thua është liri që ti të veprosh në një strukturë që ti e njeh, e beson, po të mos ishte bërë ai deklarim njerëzit do të kishin më shumë paqartësi. Jam përpjekur të zbatoj çdo ligj, çdo rregull, çdo sistem normash morale. Për këtë shkak qëkur kam mbaruar dhe jam futur në Fakultetin e Drejtësisë kam ruajtur çdo lloj dokumentacioni që ka të bëjë me jetën dhe të ardhurat e mia, është një armë e fortë për mua, jo me shtrembërime me manipulime provash”, nënvizoi ajo. Nga ana tjetër, në intervistën e saj, zonja Argita Malltezi u pyet se përse nuk ka reaguar për çështje të tjera si “21 janari” apo “Gërdeci”. Ajo u shpreh se: “Kjo është një çështje e zhveshur nga materia. Nuk pritej nga unë një reagim për ato situata pasi nuk isha njeri publik. Këto janë ndodhi që përndjekin për kursin politik dhe zhvillimin politik të një vendi. Por njeriu duhet të ketë një llogaridhënie karshi Zotit dhe ligjit. Për çështjen e Gërdecit, është diçka që më dhemb zemra”.