E premte, 6 Dhjetor, 2024

Amnistia penale/ Naço propozon të falen të dënuarit deri në 5 vjet, Xhaferri lobon për të “shpëtuar” Salianjin

Share

Kryetari i Komisionit të Sigurisë deklaron se amnistia duhet zgjeruar dhe të përfshijë edhe dënimet deri në 5 vjet.

“Për mendimin tim duhet zgjeruar efekti i amnistisë. Janë me dhjetëra vendime të dhëna nga gjykata në drejtim të shërbimit të provës persona të dënuar deri në pesë vjet. Ne e kemi 2 deri në tre vjet për veprat penale dhe besoj se për mua duhet zgjeruar gama e dhënies së amnistisë. Unë do të votoja për vepra penale që janë 5 vjet e poshtë të dënuar”, ka thënë Naço.

Në mbledhjen e komisionit ka dhënë edhe opozita propozimet e saj e siç duket ka vullnet edhe nga mazhoranca që ato të çohen përpara.

“Për të plotësuar 3/5 do të duhet pjesa e opozitës dhe sigurisht opozita për mos të qenë fasadë ka të drejtën e bërjes së propozimeve e veta dhe ne ti marrim parasysh në funksion edhe të dhënies së amnistisë”, ka thënë Naço në një intervistë për Top Channel.

Deputeti demokrat Ferdinand Xhaferri, ka sqaruar amendamentin e propozuar prej tij nga i cili ka thënë se mund të përfitojnë edhe kolegët demokratë të dënuar nga protestat e vitit 2021.

“Amendamenti synon të shpëtojë përveç të gjithë atyre individëve në territorin shqiptarë që kanë një vendim të shkallës së parë në dy vjet dhe shumë kolegë e bashkëpunëtor të mi që në protestat që bënin deri para zgjedhjeve të 2021 janë dënuar me një vendim të shkallës së parë. Ka protestues që enden ende nëpër gjykata dhe njëkohësisht që ka ndonjë koleg deputet që përfiton nga ky amendament unë do të isha shumë i kënaqur sepse sikurse e kam sqaruar në paragrafin dy të amendamentit kjo dhënie amnistie përjashton të gjithë ata individë që vepra e tyre penale klasifikohet e lidhur me krimin e organizuar dhe korrupsionin”, ka thënë Xhaferri.

Xhaferri njëkohësisht është shprehur se do të votojë pro nëse do të miratohet dhe amendamenti i propozuar prej tij.

Te tjera

Lajme te tjera