E enjte, 20 Mars, 2025

Aferën “CEZ-DIA” e çoi deri në fund Altin Dumani, ja kush janë tre prokurorët e hekurt që qepën 170 faqe dosje për Ilir Metën,  si e shembën me ndihmën e amerikanëve, austriakëve, italianëve, San Marinos dhe Qipros bunkerin 30-vjeçar të korrupsionit

Share

Një dosje gati prej 170 faqesh nga Prokuroria e Posaçme e qepur me prova dhe fakte të aferës CEZ-DIA, lobimet në SHBA, ndërhyrjet estetike dhe po ashtu te fshehja e pasurisë ka çuar në burg ish-presidentin Ilir Meta, një nga brinjët e “Trekëndëshit të Bermudës”. Pas katër vitesh hetime intensive, prokurori Sotir Kllapi ka finalizuar hetimet dhe ka firmosur arrestimin e Ilir Metës. Hetimet janë mbështetur dhe nga kryeprokurori Altin Dumani, si dhe prokurori dhe dikur ish-kreu i SPAK, Arben Kraja. Emri i tre prokurorëve futet tashmë në histori, pasi ata përfaqësojnë grushtin e drejtësisë mbi bunkerin e korrupsionit 30-vjeçar të pluralizmit në Shqipëri. Goditja që i dhanë Ilir Metës përfaqëson fundin e paprekshmërisë, fundin e murit dhe kulturës së pandëshkueshmërisë, rënien e ‘dinozaurëve të politikës’, dhe me shumë gjasë fundin e tranzicionit. Këta tre personazhe janë investime Perëndimore. Sotir Kllapi është një nga prokurorët shqiptare që është trajnuar dhe ‘stërvitur’ nga amerikanët për gjurmimin e parave dhe hetimin e pastrimit të parave. Dosjen CEZ-DIA, për shkak të presionit të madh politik, e mori dhe e mbylli deri në fund prokurori i hekurt dhe i pakompromis, Altin Dumani, njeriu i besuar i amerikanëve. Por kjo goditje që iu bë Ilir Metës nuk do të ndodhte pa ndihmën e ndërkombëtarëve. Vetë SPAK në njoftimin që dha për mediat falënderoi dje autoritetet e zbatimit të ligjit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Austrisë, Italisë, San Marinos, Qipros për ndihmën dhe bashkëpunimin e treguar. Nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Qipro u konfirmua se gjatë viteve 2016-2017, Ilir Meta ka shpenzuar qindra mijëra euro për lobim në SHBA, para këto që nuk u dihet burimi dhe që nuk janë deklaruar as në KQZ dhe as në ILDKPKI. Arben Kraja në dosjen e shërbimeve estetike provoi nga hetimet se Ilir Meta dhe Monika Kryemadhi kanë shpenzuar mijëra euro për dobësim dhe shërbime të tjera estetike në Vjenë dhe San Marino. Shpenzimet nuk janë deklaruar në ILDKPKI.  Të tre dosjet faktuan lëvizjen, fshehjen dhe pastrimin e parave.

Sa vite burg rrezikojnë?

Meta dhe Kryemadhi dyshohen si të  përfshirë në korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie. Pastrimi i parave dënohet nga pesë deri në dhjetë vjet burg. Korrupsioni 4 deri në 12 vite burg dhe fshehja e pasurisë dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet. Të njëjtat akuza janë ngritur edhe ndaj Monika Kryemadhit.

Parashikimet në Kodin Penal

Neni 287- Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale, nëpërmjet: a) këmbimit ose transferimit të pasurisë, me qëllim fshehjen ose mbulimin e origjinës së paligjshme të saj, duke ditur se kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; b) fshehjes ose mbulimit të natyrës së vërtetë, burimit, vendndodhjes, disponimit, zhvendosjes, pronësisë ose të drejtave në lidhje me pasurinë, duke ditur që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; c) fitimit të pronësisë, posedimit ose përdorimit të pasurisë, duke e ditur në çastin e marrjes në dorëzim të saj, që kjo pasuri është produkt i veprës penale ose i veprimtarisë kriminale; ç) kryerjes së veprimeve financiare ose transaksioneve të copëzuara për shmangien nga raportimi, sipas legjislacionit për parandalimin e pastrimit të parave; d) investimit në veprimtari ekonomike ose financiare të parave a sendeve, duke ditur se janë produkte të veprës penale ose veprimtarisë kriminale; dh) këshillimit, ndihmës, nxitjes ose thirrjes publike për kryerjen e secilës prej veprave të përcaktuara më sipër; – dënohet me burgim nga pesë gjer në dhjetë vjet. Kur kjo vepër kryhet gjatë ushtrimit të një veprimtarie profesionale, në bashkëpunim ose më shumë se një herë, dënohet me burgim nga shtatë gjer në pesëmbëdhjetë vjet. E njëjta vepër, kur ka sjellë pasoja të rënda, dënohet jo më pak se pesëmbëdhjetë vjet me burgim. Neni 260- Korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë Kërkimi ose marrja, drejtpërdrejt ose tërthorazi, i çdo lloj përfitimi të parregullt apo i një premtimi të tillë, për vete ose për persona të tjerë, ose pranimi i një oferte a premtimi që vjen nga përfitimi i parregullt, nga funksionari i lartë shtetëror ose i zgjedhuri vendor, për të kryer ose mos kryer një veprim që lidhet me detyrën a funksionin e tij, dënohet me burgim nga katër deri në dymbëdhjetë vjet. Neni 257/a- Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim Refuzimi për deklarimin ose mosdeklarimi i pasurisë, interesave privatë të personave të zgjedhur ose nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim sipas ligjit, kur më parë janë marrë masa administrative, përbën kundërvajtje penale dhe dënohet me gjobë ose me burgim deri në 6 muaj. Fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publik ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim, dënohet me gjobë ose me burgim deri në tre vjet.

Te tjera

Lajme te tjera