Pas 11 muajve arrest brenda 4 mureve të shtëpisë, Sali Berisha është i lirë të dalë. Gjyqtarja e Posaçme, Flojera Davidhi e caktuar edhe si gjyqtare e seancës paraprake për dosjen e aferës ‘Partizani’, vendosi të pranojë kërkesën avokatit mbrojtës, dhe të heqë masën e sigurimit personal të arrestit në shtëpi ndaj kreut të Partisë Demokratike Sali Berisha, i marrë pandehur prej 2 muajsh.
Gjykata revokoi sot masën e sigurisë. Konstatoi që për të nuk ekzistojnë kushtet dhe kriteret për asnjë masë sigurie. Jemi në kërkimin paraprak. Prokuroria kërkoi të mbetej në arrest shtëpie. Kjo ishte kërkesa jonë që ditën përpara seancës paraprake. Këto kërkese shqyrtohen brenda 5 ditëve dhe u bë sot. Prej sot Berisha është i lirë e pa asnjë masë sigurie ‘ u tha gazetarëve avokati Genc Gjokutaj
Megjithë këtë vendim në favor të tyre, avokati i Berishës, Genci Gjokutaj, akuzoi drejtësinë si të lidhur me politikën.
Ne nuk i besojmë gjykateve…procesi është politik nuk ekziston arsye ligjore. SPAK duhet të ulë kokën dhe të shikojë çka bërë, i ka hipur një kali përsëpraprthi…Mos u mërzisni pse u lirua Berisha” tha Gjokutaj
Por SPAK duket të mos bëjë asnjë hap pas. Siç Report Tv mëson, Prokuroria e Posaçme, ashtu siç u shpreh edhe në seancën e shqyrtimit të kërkesës së Berishës, do të apelojë vendimin, dhe do të kërkojë sërish masë ‘arrest në shtëpi”
Disa orë më pas Berisha doli nga banesa ku ishte ‘burgosur’ për 331 për të shkuar tek selia e PD-së ku u prit nga militantët e mbledhur në oborr.
U kry dhe kjo punë. Piramida më e madhe e mashtrimit mori sot goditjen fatale. Monstrat e Edi Ramës dhe George Soros dështuan përfundimisht’ tha Berisha.
E për vendimin e dhënë nga gjyqtarja Flojera Davidhi mori 2 herë falenderimet publike nga kryetari i PD-së, si në fjalimin para selisë së partisë ku e prisnin militantët ashtu dhe në konferencën për median që Berisha organizoi menjëherë më pas.
“Falenderoj gjykatësen.Zbatoi ligjin dhe Kushtetutën’
Prej 30 dhjetorit të vitit 2023, Sali Berisha u mbyll në shtëpi, pasi refuzoi në mënyrë të vazhdueshme të zbatojë masën e parë që gjykata vendosi ndaj tij, atë të detyrimit për tu paraqitur, si person nën akuzë për korrupsion pasiv.
Pak ditë më parë, Gjykata Kushtetuese legjitimoi masën e parë ndaj Berishës – atë të detyrim me paraqitje – duke e quajtur të rregullt dhe pa nevojën që më herët prokurorët të kishin marrë lejen e Kuvendit, arsye me të cilën justifikonte mosrespektimin e masës, por bllokimin e pasaportës e quajti joproporcionale. Tashmë i lirë nga banesa, Sali Berisha, pret edhe betejat e tjera, atë në Gjykatën Kushtetuese dhe në Strasburg.
Ndërkohë më 16 dhjetor, Gjykata e Posaçme, po gjyqtarja Flojera Davidhi do të vendosë nëse do t’i hapë rrugë nisjes së procesit të gjykimit, do t’i kërkojë SPAK-ut të plotësojë hetimet, apo nëse do të pushojë hetimet për dosjen me 333 fashikuj të aferës “Partizani”.
SPAK e akuzon ish-kryeministrin Berisha se me një sërë veprimesh i hapi rrugë privatizimit të ish kompleksit sportiv Partizani që u pasua me ndërtimin e 19 kullave, ku përfitues është dhe dhëndri i tij Jamarbër Malltezi. Të pandehur në aferën Partizani janë edhe biznesmeni Fatmir Bektashi, Xhimi Begeja orataku i Malltezit, trashëgimtar i tokës dhe bashkëpronar i ‘Homeplan’ dhe Andia Pustina, financiere që kryente të gjitha operacionet financiare dhe ligjore të Homeplan.
Dosja ‘Partizani’ është ndarë me fraksione nga SPAK që po vijon hetimet për pasurinë e familjes së ish-kryeministrit ‘non grata’ Sali Berisha dhe përfitimet që mund të kenë familjarët e tij