Rigels Seliman
A është SPAK pranë finalizimit të një dosjeje “bombë” ndaj Ilir Metës, që mund të tronditë skenën politike shqiptare? Kjo është pyetja që ngrihet pas vendimit të djeshëm të Prokurorisë së Posaçme për të zgjatur me 6 muaj hetimet ndaj ish-presidentit, pavarësisht se ndaj tij janë ngritur tashmë akuza zyrtare. Juristi Romeo Kara hedh dritë mbi këtë lëvizje të pazakontë në dukje, duke argumentuar për gazetën “SOT” se zgjatja e afatit është ligjërisht e mundur, por edhe një sinjal se SPAK po punon për një dosje më të thelluar, që mund të përfshijë bashkëpunëtorë të tjerë, veprime të reja penale apo elementë të ndërlikuar të pastrimit të parave. Në këtë analizë, Kara shpjegon bazën ligjore dhe arsyet konkrete që justifikojnë shtyrjen e hetimit, duke shtuar dyshimet se organi i akuzës po përgatit një goditje më të madhe ndaj një prej figurave më të njohura politike të tranzicionit shqiptar.
Romeo Kara: Ja pse SPAK zgjati hetimin
“Kërkesa e SPAK për zgjatjen e afatit të hetimeve me 6 muaj, edhe pse Ilir Metës i është komunikuar akuza dhe është marrë i pandehur, është në dukje një situatë e pazakontë, por ka një shpjegim ligjor të mundshëm, bazuar në nenet përkatëse të Kodit të Procedurës Penale (KPP) dhe konkretisht nga Neni 323 i KPP – Afati i hetimeve paraprake, ku konstatojme se: Hetimet paraprake përfundohen brenda 3 muajve nga data e regjistrimit të procedimit penal. Ky afat mund të zgjatet me vendim të prokurorit të posaçëm për arsye të justifikuara, deri në 12 muaj, e në raste të veçanta, me vendim të gjyqtarit të procedurës paraprake, deri në 2 vjet. Po kështu Neni 323/3 lejon që kur ndodhen rrethana që e pamundësojnë përfundimin e hetimeve, prokurori mund të kërkojë zgjatje edhe pas marrjes si i pandehur të personit. Pra, zgjatja e hetimeve edhe pas komunikimit të akuzës është ligjërisht e mundur, nëse: Hetimi nuk është formalizuar ende me një kërkesë për dërgim të çështjes për gjykim (neni 328 KPP), dhe ekzistojnë arsye të reja për vijimin e hetimit, si për shembull hetime për bashkëpunëtorë të tjerë, dokumente të paardhura, letra-porosi në pritje, etj. Marrja si i pandehur është një akt procedural që: I njofton të dyshuarit se SPAK ka prova fillestare për përfshirjen e tij në vepër penale, I garanton të drejtën e mbrojtjes, përfshirë konsultimin me avokatin, kërkimin e provave, parashtrimin e kundërshtimeve, por nuk e përmbyll automatikisht hetimin paraprak. Pra, Prokuroria mund të vazhdojë hetimin edhe pas këtij momenti, sidomos kur hetimi është në zhvillim për: Personazhe të tjerë, episode të tjera penale (p.sh. pastrim parash i lidhur me korrupsionin) dhe mbledhje provash për të fortifikuar akuzën. Në rastin Ilir Metës, SPAK-u mund të ketë: Komunikuar akuzën për një pjesë të veprave penale për të respektuar të drejtën e mbrojtjes dhe për të mundësuar që Meta të mos i shmanget drejtësisë. Ndërkohë, vijon hetimi për çështje të tjera të lidhura, për persona të tjerë, ose për veprimtari financiare të ndërlikuara, që kërkojnë prova nga jashtë. Në përfundim: Ligjërisht SPAK-u ka të drejtë të kërkojë zgjatje të hetimeve edhe pasi ka marrë dikë të pandehur, nëse nuk ka bërë ende kërkesën për gjykim dhe hetimi ka ende nevojë për plotësim me prova apo veprime të tjera. Marrja si i pandehur përfaqëson një akt njoftimi procedural, përmes të cilit subjekti vihet formalisht në dijeni të akuzës dhe i garantohet e drejta për të ushtruar mbrojtjen e tij. Megjithatë, ai nuk nënkupton përfundimin e hetimeve dhe nuk ndalon kërkimin e zgjatjes së tyre. Nga pikëpamja formale dhe materiale, kërkesa e SPAK për zgjatjen e afatit të hetimeve me 6 muaj, edhe pas marrjes si i pandehur të Ilir Metës, është e ligjshme dhe e mbështetur në nenin 323 të Kodit të Procedurës Penale. Kjo shtyrje ka për qëllim sigurimin e një hetimi të plotë, të paanshëm dhe të bazuar në prova të plota, duke garantuar se dosja që do t’i paraqitet gjykatës do të jetë e qëndrueshme juridikisht dhe faktikisht”, shprehet juristi i njohur, Romeo Kara për gazetën “SOT”.