Ilir Meta duket se nuk po gjen qetësi. SPAK ka nisur një hetim të gjithanshëm kundër tij dhe duket se po përdor të gjithë mënyrat për të qëndruar jashtë burgut. Deri më tani nuk ka lënë gjë pa thënë për prokurorët e SPAK, por dje Meta ndryshoi shënjestër. Duke folur, në Forumin Rajonal “Ballkani dhe sfidat gjeopolitike të së sotmes dhe së ardhmes”, Meta sulmoi si partenerët e SHBA ashtu edhe të BE. Madje ai shkoi deri aty sa i akuzoi se janë blerë me para korruptive.
“Në vendet tona punohej më shumë dhe kishte më shumë përparim kur BE dhe SHBA flisnin më fort, më hapur dhe me një zë. Reformat kuptimplota dhe të vërteta brenda secilit vend prodhuan lëvizjen pa viza drejt Europës dhe brenda rajonit, zgjeruan perimetrin e kufirit të NATO brenda nesh, forcuan ekonomitë, institucionet, ulën tensionet ndërmjet popujve dhe rritën shkëmbimet e natyrshme në të gjitha fushat. Kishte më shumë llogaridhënie, më shumë entuziazëm, më shumë besim nga qytetarët, ashtu sikurse kishte leva më të forta të BE dhe SHBA.
Sot, autoriteti i BE dhe SHBA është cenuar edhe nga marrëdhëniet korruptive që kanë ndërtuar liderët autokratë me zyrtarë të lartë të caktuar, ku rasti i McGonigal është bërë shembull i përbotshëm se si autokratët korruptojnë edhe zyrtarët më të lartë të FBI për të eliminuar opozitën politike dhe pluralizmin”, tha ai.
Më tej Meta tha se ka aktorë jo shtetërorë që marrin rol diplomatik duke u ulur në tryeza vendimmarrëse. Edhe pse nuk përmendi emra, ndoshta Meta e ka pasur fjalën për djalin e Soros.
“Po kështu edhe përfshirja dhe imponimi i agjendave të diplomacisë nga aktorë jo-shtetërorë, që nuk dihet se kë dhe çfarë interesash përfaqësojnë ndërsa ulen në tryeza të larta politike vendimmarrëse. Ballkani, po ashtu, nuk mund të jetë vendi ku tregtohen interesa të ngushta e afatshkurtra, si për shembull, koshi ku hidhen emigrantët e paligjshëm, sepse Ballkani nuk mund të jetë Ruanda e BE”, tha Meta.
Pak ditë më parë në Tiranë ishte koordinatori Antikorrupsion, i cili ka dhënë udhëzime të qarta te SPAK. Po ashtu edhe vetë i dërguari i ambasadës ka qenë aty dhe ka dhënë mbështetje. BE gjithashtu e ka thënë se duhet të goditet më lart. Si duket Meta ka arritur në Tiranë ta rregullojë situatën e tij, por është presioni ndërkombëtar që nuk e lë SPAK.