Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë ndryshuar rregullat për aplikimet për “Green Card”, duke detyruar të huajt që kërkojnë ndryshim të statusit të emigracionit ta bëjnë procesin nga jashtë vendit. Njoftimi u bë nga Shërbimi i Shtetësisë dhe Emigracionit i SHBA-së (USCIS), i cili publikoi një memorandum të ri politikash për procedurat e aplikimit.
Sipas Departamentit Amerikan të Sigurisë Kombëtare, një person që ndodhet përkohësisht në SHBA dhe kërkon “Green Card” duhet të kthehet në vendin e origjinës për të aplikuar përmes Departamentit të Shtetit.
“Një i huaj që ndodhet përkohësisht në SHBA dhe dëshiron një Green Card duhet të kthehet në vendin e tij të origjinës për të aplikuar”, deklaroi departamenti, duke shtuar se politika synon të shmangë “shfrytëzimin e boshllëqeve ligjore”.
USCIS argumentoi se ndryshimi do t’i lejojë agjencisë të përqendrojë më shumë burime në përpunimin e rasteve të tjera. Por vendimi është kritikuar nga organizatat humanitare. HIAS, që merret me ndihmën për refugjatët dhe emigrantët, tha se politika e re mund të detyrojë viktimat e trafikimit, si edhe fëmijët e abuzuar apo të neglizhuar, të rikthehen në vende të rrezikshme për të përfunduar aplikimet për qëndrim të përhershëm në SHBA.
Ky është hapi më i fundit në serinë e masave të administratës së Donald Trump për të ashpërsuar kontrollin mbi emigracionin. Gjatë vitit të kaluar, administrata amerikane ndërmori edhe kufizime për vizat e studentëve, programet e shkëmbimeve kulturore dhe përfaqësuesit e medias. Në janar, Departamenti i Shtetit njoftoi se kishte revokuar mbi 100 mijë viza që nga rikthimi i Trump në detyrë.
