I trumbetoi me të madhe si zgjedhjet më demokratike, por procesi për kryetarin e Partisë Demokratike përfundoi në fletën e votimit me një emër të vetëm dhe të njëjtin, Sali Berishën.
Në një proces pa garë, Sali Berisha arriti të marrë votën pro nga 37 mijë e 341 anëtarë, ose rreth 95% të votave, një përqindje alla “enveriste”. Nga 51 737 anëtarë të PD, vetëm 39 441 prej tyre morën pjesë në garë. Nga votat e numëruara, 38 mijë e 902 rezultuan të vlefshme, ndërsa 1055 anëtarë votuan kundër Berishës dhe 506 abstenuan.
Numri i anëtarësisë u mbajt sekret nga kupola e PD dhe u bë publik vetëm 4 orë pasi kishte nisur procesi i votimit. Të vetmet shifra zyrtare mbi anëtarësinë i përkisnin 2021-shit kur partia drejtohej nga Lulzim Basha dhe asokohe numri i anëtarëve ishte rreth 75 mijë. Nga ana tjetër më shumë se 12 mijë anëtarë (23.8%) nuk iu përgjigjën thirrjes për të marrë pjesë në këto zgjedhje. Megjithatë vlen të theksohet se Berisha është 17 mijë vota minus nga votat e Lulzim Bashës në zgjedhjet e verës 2017-ën dhe thuajse e njëjta shifër që Basha mori në 2021-shin.
Kryetari i parë i PD që në vitin 1991 e që e dominon prej 35 vitesh mori një tjetër mandat, në një proces që jo pak ka qenë i kontestuar, me 5 kandidatë të tjerë të skualifikuar.
“Sot keni votuar për një PD të ripërtërirë plotësisht, të modernizuar në të gjithë veprimtarinë e saj, në misionin më të shkëlqyer për Shqipërinë e shqiptarët, më të vendosur se kurrë në misionin e saj”, tha Berisha pas shpalljes së rezultatit.
Menjëherë pas fitores, që vetëm duhej të shkruhej në letra, Berisha shpalli armiqtë e rinj. Kësaj radhe 1055 anëtarët që i dolën kundër, të cilëve publikisht u tha se votën do tua mbaje shënim.
“I garantoj se vota e tyre ndryshe, kundër apo abstenim qoftë do të mbahet shënim në kuptimin e asaj që do të bëj gjithçka për t’u dhënë përgjigje më të mirë atyre hezitimeve apo vërejtjeve për të cilat ata votuan kundër ose abstenuan”, u shpreh kryetari i PD.
Procesi i votëbesimit të kryetarit, nisi në orën 08.00 të mëngjesit, me hapjen e 87 qendrave në të gjitha degët e PD-së në vend, për t’u shtyrë në disa prej tyre me 1 orë, deri në 19:00.
Ervin Salianji, i skualifikuar nga gara, mbeti kryefjalë e këtij procesi. Mbështetës të shumtë të tij iu drejtuan kutive të votimit për ta refuzuar në mënyrë demonstrative Sali Berishën, duke shkruajtur poshtë tij në fletë, edhe emrin e Ervin Salianjit. Ndërsa vetë ish-deputeti hodhi akuza se pjesëmarrja u manipulua dhe se sipas tij kanë votuar vetëm 4 mijë anëtarë.
Sali Berisha nuk lejoi kandidimin e 5 demokratëve, atë të Evi Kokalarit, Ervin Salianjit, Alesia Balliut, Mereme Selës dhe Vladimir Mulajt duke dalë i vetëm përballë demokratëve. Pjesa më e madhe e tyre i është drejtuar Gjykatës së Tiranës që t’i shpallë zgjedhjet e brendshme të PD të pavlefshme, por deri më tani ende nuk është pranuar asnjë sigurim padie që rivalët e Berishës kanë çuar në dyert e Gjykatës.
Vetëm një javë pas procesit zgjedhor, Partia Demokratike ka thirrur Kuvendin Kombëtar ku do të miratohen ndryshimet në statut.
