Në një kohë kur bota po përballet me rritjen e çmimit të karburantit, energjisë elektrike dhe produkteve të shportës, qeveria ka miratuar sot planin me 7 pika për t’iu gjendur pranë qytetarëve shqiptarë në mënyrë që ata të mos preken nga kjo rritje.
Pas mbledhjes me qeverinë, kryeministri Edi Rama prezantoi 7 masat e marra, ku shpjegoi se do të kompensojnë me 3 mijë lekë rritjen e çmimeve të shportës për shtresat në nevojë. Kjo shumë do të përfitohet për 3 muaj nga pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistë të invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër dhe të gjitha familjet me ndihmë ekonomike.
Nga muaji prill paga minimale do të rritet në 32 mijë lekë nga 30 mijë lekë që është aktualisht. Rama tha se rritja e pagës minimale do të afrohet me dy muaj për shkak të krizës në të cilën ndodhemi. Sakaq, me dy muaj do të afrohet edhe futja në fuqi e ligjit për zerimin e taksës mbi pagat deri në 40 mijë lekë, përgjysmimi i taksës mbi pagat deri në 50 mijë lekë, si edhe ulja e taksës mbi pagat nga 1.5 deri në 2 milionë të vjetra.
Mbështetje do të ketë edhe për fermerët, ku qeveria do të vendosë në dispozicion 5 milionë dollarë për subvencionimin e tyre me naftë pa taksa. Në total mbështetja për fermerët shkon në 14 milionë dollarë. Kreu i qeverisë theksoi se 36 milionë dollarë do të shkojnë për indeksimin e pensioneve nga muaji i ardhshëm, ku përfitojnë 673.542 pensionistë.
Qeveria ka marrë masa edhe për një tjetër shqetësim që është ngritur ditët e fundit, atë të Transportit urban. Kryeministri tha se do të derdhen 500 milionë lekë për transportin qytetas dhe ndërqytetas, në mënyrë që të mos rritet çmimi i biletës për udhëtarët.
Rama ka ritheksuar edhe njëherë se çmimi i energjisë për familjarët dhe biznesin e vogël nuk do të rritet, por do të paguhet nga shteti, ndërsa bëri me dije se do të shtohen edhe 20 miliardë lekë të reja për financimin. Ai theksoi se deri në fund të vitit qeveria do të paguajë 650 mln euro për faturat e energjisë për familjet dhe për bizneset.
Nga kjo krizë nuk kanë mbetur pa u prekur edhe funksionarët publikë, duke nisur nga vetë kreu i qeverisë. Qeveria do u paguajë qeveritarëve vetëm 50% të karburantit, nga 100% që paguhet aktualisht.
‘Qeveria do të paguajë vetëm 50% të shpenzimeve të zakonshme për naftë për të gjithë funksionarët publikë, duke filluar që nga unë, që nga ministrat, e drejtuesit e administratës pjesën tjetër lë ta paguajnë nga xhepi.’- tha Rama.
Kryeministri ka komentuar edhe protestat për rritjen e çmimeve, duke thënë se “i vjen turp që Shqipëria është i vetmi vend i NATO-së që proteston për pasojat e luftës në Ukrainë”.
Paketa e Rezistencës Sociale me shtatë pika
1- 3.6 mld lekë ose 36 mln USD, për indeksimin e pensioneve. Përfitojnë 673.542 pensionistë.
2- Kompensim i rritjes së çmimeve të shportës për 3 muaj me nga 3 mijë lekë. Bazuar në përllogaritjen e INSTAT-it është 7% ose e kthyer në rritje mbi konsumin mesatar të llogaritur përpara goditjes, është 25 mijë lekë të vjetra. Përfitojnë 434 mijë qytetarë: pensionistë që marrin më pak sesa gjysma e pagës minimale, pensionistët e invaliditetit, pensionistët që jetojnë vetëm, personat me aftësi të kufizuar, paraplegjikë, tetraplegjikë apo të verbër, të gjitha familjet me ndihmë ekonomike.
3- Mbështetja për fermerët me naftë pa taksa do të shkojë në 1.4 miliardë lekë ose 14 milionë USD, me një shtesë plus prej 5 milionë USD e cila do të derdhet menjëherë.
4 – Qeveria do të mbështesë të gjithë shqiptarët që përdorin linjat urbane, qytetase dhe ndërqytetase, duke derdhur menjëherë 500 milionë lekë ose 5 milionë dollarë, për të paguar diferencën e çmimit të biletës, në mënyrë që asnjë udhëtar të mos preket nga ndryshimi i çmimit.
5 – Afrojmë dy muaj përpara futjen në fuqi të ligjit për zerimin e taksës mbi pagat deri në 400 mijë lekë të vjetra, përgjysmimin e taksës mbi pagat deri në 500 mijë lekë të vjetra, si edhe uljen e takses mbi pagat nga 1.5 deri në 2 milionë të vjetra. Këto masa lehtësuese do të reflektohen në pagat e prillit dhe prej tyre do të përfitojnë 360 mijë të punësuar. Numri i të punësuarve në Shqipëri që paguajnë zero taksë mbi pagën, arrin një shifër që s’e ka askush në rajon, 56%!
6 – Afrojmë dy muaj përpara edhe futjen në fuqi të ligjit për pagën minimale, e cila në prill do të bëhet 320 mijë lekë të vjetra.
7 – Shtojmë me 20 miliardë lekë të reja ose 200 milionë USD, financimin e mburojës së çmimit të energjisë për konsumatorët familjarë dhe biznesin e vogël.