E premte, 6 Dhjetor, 2024

’21 Janari, krimi shtetëror i pahetuar!’ Sytë nga Gjykata e Lartë, Rama: SPAK të hetojë ‘dosjen e gjakut’! Prokuroria e Tiranës pa shtyllë kurrizore

Share

Zëri për drejtësi për vrasjen e 4 protestuesve të 21 janarit 2011 nuk është ndalur për asnjë sekondë, e megjithatë dosja ka mbetur e arkivuar në ‘barkun e madh të prokurorisë së Tiranës pa shtyllë kurrizore’ siç tha kryeministri Rama.

Ndërsa sot, (21 janar 2024) 13 vite pas, me vendimin e Gjykatës së Strasburgut është ndezur një dritë shprese për familjarët, shqiptarët por dhe qeverinë Rama, e cila në atë kohë ishte në opozitë, kërkojnë medoemos që të zbardhet ky krim shtetëror. 

Kryeministria organizoi ceremoninë e përvitshme përkujtimore. Në fjalën para familjarëve të Hekuran Dedës, Ziver Veizit, Faik Myrtajt dhe Aleks Nikës, Rama kërkoi drejtësi për atë që e quan “Dosjen e Gjakut” duke thënë se SPAK duhet të marrë në dorë çështjen.

“Ne vendimin e Strasburgut cilësohet e zeza mbi të bardhë krim shtetëror të pahetuar. Duke u bërë i pamundur të lexohet me dy kuptime, sipas dëshirës së kërkuesve të drejtësisë” tha Rama

Një shpresë, kreu i qeverisë e ka edhe te Gjykata e Lartë, që më 27 shkurt 2024, vendos nëse SPAK duhet të marrë në dorë cështjen.

“Ky i sotmi është sidoqoftë një “21 janar” i veçantë! Pikërisht sepse sot për herë të parë që prej 13 vitesh shpresa nuk ushqehet vetëm nga brenda nesh, po dhe nga vendimi i Gjykatës Europiane të së Drejtave të Njeriut dhe nga vullneti tani më i shprehur i SPAK-ut dhe Gjykatës së Posaçme për të goditur drejtë, për të goditur lart pa duart e lidhura nga pushteti politik dhe pa frikë nga dordolecët politik që e mbajtën drejtësinë larg Shqipërisë dora-dorës për më shumë se 100 vjet” u shpreh Rama

Edhe ministri i Drejtësisë Ulsi Manja tha se ndëshkimi i vrasjes së pabesë nga pushteti i 4 njerëzve të pafajshëm, duhet të jetë prova e drejtësisë së re.

“ Fakti që sot pas 13 vitesh drejtësia për 21 janarin si krim shtetëror është ende në ajër tregon qartë se brenda sistemit të drejtësisë ka magjistratë me certifikatë vetingu të paaftë profesionalisht që punojnë me mentalitetin e vjetër të mbylljes së dosjeve me procedurë apo skadim të afateve të procedimit se kanë frikë të përballen me hetimin e dosjeve të rëndësishme” tha Manja

Familjarët, që prej 13 vitesh nuk rreshtin së kërkuari drejtësi, e adresuan edhe në këtë 21 janar mesazhin e tyre, duke thënë se vrasja u urdhërua nga lart.

“Vrasja e Aleksit dhe 3 të tjerëve lindi i zbardhur, para kamerave. Ata ishin protestues paqësor, u vranë kur protesta po shpërndahej larg hyrjes së kryeministrisë. Asgjë tjetër veç një urdhri nga lart mund të çonte në hapjen e zjarrit ndaj qytetarëve në ato kushte. Këto 13 vite kanë qenë 13 vitet e manipulimit të drejtësisë, Berisha u dha kohë të prishin provat. Nga ky vit kemi shpresë e besim se 21 janari do të flasë me gjuhën e ligjit dhe drejtësisë. Vendimi i Strasburgut nuk është rekomandues, por i detyrueshëm për tu zbatuar. Topi është në fushën e drejtësisë së re shqiptare” tha Mark Nika, xhaxhai i Aleks Nikës.

Më pas Kryeministri Edi Rama dhe familjarët u zhvendosën nga godina e kryeministrisë për të zhvilluar homazhe në Bulevardin përpara kryeministrisë, aty ku plumbat i morën jetën 4 protestuesve.

Të shumtë ishin qytetarë dhe ish protestues të 21 janarit që iu bashkuan homazheve në bulevard.

Te tjera

Lajme te tjera