Pa asnjë pendesë, për 4 viktimat e 21 janarit të 2011 që i pa të vrarë nga dritarja e tij në kryeministri, Sali Berisha u shfaq këtë përvjetor të 14-të të asaj ngjarje tragjike, me 4 arsye pse do të vepronte po njësoj nëse kohën do e kthente mbrapsht.
“Së pari, keqardhjen time e kam shprehur për viktimat jo pas 14 vitesh siç pretendoni ju, ose ata që mendojnë si ju, por e kam shprehur fiks në ora 7 të darkës, të asaj nate, pra në 21 janar të vitit 2011 dhe në mënyrë të përsëritur.
Së dyti, po atë natë dhe të nesërmen, të pasnesërmen kam kërkuar një hetim ndërkombëtar të çështjes. Institucionet më serioze ndërkombëtare se ajo protestë e dhunshme kishte axhendë politike.
Së treti edhe njëherë, ka një deklaratë të qeverisë së SHBA, në të cilën kërkohet hetimi që nga polici e gjer nga organizatori që dihet botërisht se është Edi Rama.
Së katërti, ata që nuk duan të mashtrojnë veten dhe nuk duan ti përdorin fatkeqësitë të tjerëve, për ushqim politik, duhet ta dinë se në këto 14 prokuroria ka qenë tërësisht nën kontrollin e Edi Ramës.”
Për herë të dytë, Berisha iu shmang pyetjes se a do të pranonte të paraqitej në SPAK për tu pyetur për 21 janarin, por mbështeti çdo hetim për ngjarjen, duke kujtuar se ka kërkuar edhe hetim ndërkombëtar.
“Kam kërkuar një hetim ndërkombëtar të çështjes. Jam shprehur, shprehem dhe do të shprehem, mbështes çdo lloj hetimi të kësaj ngjarje.”
Sa për hetimet, kryedemokrati akuzoi Edi Ramën se si organizator i asaj proteste, ka penguar çdo prokuror ti shkojë deri në fund çështjes, pasi sipas Berishës, ai është fajtori i vërtetë.
“Deklaroj se nuk ka asgjë tjetër, vetëm për të shpëtuar përgjegjësitë e atij që organizoi protestën më të dhunshme për qëllime të pushtetit të tij, Edi Ramës”
Për tiu mbivendosur këtij 14-vjetori të 21 janarit, Berisha nuk lodhet së uruari Presidentin e ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Tramp, duke shpresuar siç thotë ai se nuk do të sulmojë opozitat konservatore si ajo e Partisë Demokratike në Shqipëri, siç bëri paraardhësi i tij në detyrë, Xho Bajden.