Një ditë pasi deklaroi publikisht se nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve, Sali Berisha u shfaq sërish nga selia blu për të dhënë se zgjedhjet u grabitën dhe se sipas tij, kjo ishte një farsë elektorale. Berisha tha në një deklaratë për mediat se raportet paraprake kanë rrëzuar përtokë zgjedhjet me raportet paraprake, por në fakt të gjithë liderët e BE ‘certifikuan’ zgjedhjet duke i uruar Ramës fitoren, ndërsa në një deklaratë të BE thuhej se zgjedhjet ishin gjithëpërfshirëse dhe transparente.
“Unë këtu shpreh vlerësimin tim për raportet paraprake, të cilat defakto në parimin më themelor ndërkombëtar dhe kombëtar të zgjedhjeve, atë të barazisë së palëve, i kanë rrëzuar përtokë zgjedhjet”, tha Berisha.
Nga ana tjetër, Berisha thotë se PD po përgatit luftën për mbrojtjen e të drejtës së votës së shqiptarëve. I shpallur non grata nga SHBA, Berisha thotë se do të informojë Kongresin e SHBA dhe kancelaritë europiane për grabitjen e zgjedhjeve.
“Me ODIHR dhe OSBE, sikundër me të gjitha kancelaritë europiane, me senatin, kongresin dhe administratën e SHBA, ne në mbrojtje të votës së qytetarëve shqiptarë, do të kemi paraqitje dhe shkëmbime intensive mendimesh, dokumentesh dhe faktesh të pakundërshtueshme. Narkoregjimi i Tiranës nuk mundet kurrë të përfitojë për kohë të gjatë nga kjo masakër zgjedhore që kreu”, tha Berisha.
Për 11 majin thotë se u kap nga organizatat kriminale jo vetëm brenda Shqipërisë, por edhe në rajon, duke thënë se me PD në pushtet do shpallen organizata terroriste, por duket se Berisha ‘harroi’ që zgjedhjet i humbi thellë.
“Zgjedhje të kapura nga organizata kriminale më të fuqishme të Shqipërisë dhe rajonit, të cilat disponojnë në kontot e tyre të nëndheshme, miliarda euro dhe që luftojnë këto zgjedhje për lëkurën e tyre, sepse siç e dini, i kisha garantuar dhe vazhdoj ti garantoj se ato me PD në pushtet, do të shpallen organizata terroriste, ç’ka do të thotë ligji do të jetë i tmerrshëm për to”, tha Berisha.
Nga selia blu, Berisha u shpreh se krimi ka terrorizuar demokratët që kanë dorëzuar filmime, dokumente mbi dhunimin masiv të këtyre zgjedhjeve, edhe pse në fakt nuk ka publikuar asnjë pamje që të vërtetojë se zgjedhjet u vodhën. Kreu i PD kërkoi edhe lirimin e vëzhguesit të PD, Luan Tollozhina, i cili dhunoi komisionerin e PS në Pogradec.
“Në këtë kuadër dënoj me forcën më të madhe terrorin policesk, ndaj numëruesve dhe komisionerëve tanë. Kërkoj lirimin e menjëhershëm të vëzhguesit Luan Tollozhina. E gjithë ngjarja është një kurth policesk i organizuar kundër tij. Ai mbahet në burg vetëm si qëndrestar dhe mbrojtës i votës. Dënoj akte të tjera të falangave të krimit që kanë terrorizuar demokrate e demokratë, opozitarë dhe opozitare që kanë dorëzuar filmime, dokumente mbi dhunimin masiv të këtyre zgjedhjeve”, tha Berisha.
Të enjten Sali Berisha do të udhëtojë edhe drejt Brukselit ku do të marrë pjesë në samitin e Aleancës ndërkombëtare të Qendrës së Djathtë për t’u rikthyer për protestën e parë kundër rezultatit të zgjedhjeve, të premten në orën 17:00 në Bulevardin Zogu i parë.